Accessibility links

Breaking News

Serbia do ta konsiderojë Hezbollahun organizatë terroriste 


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane  

Siç e ka bërë të qartë vazhdimisht Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, është iluzion të besosh se ekziston ndonjë ndryshim midis krahut "ushtarakë" dhe "politikë" të grupit terrorist Hezbollah.

"Bëhet fjalë për një njësi unitariane. Kjo është një organizatë terroriste," tha ai. "Ajo sponsorizohet nga Republika Islamike e Iranit. Dhe duhet të konsiderohet në tërësinë e saj si një entitet terrorist dhe ne duhet të sigurohemi që të gjithë ata që janë të përfshirë dhe të lidhur me Hezbollahun, t’u nënshtrohen sanksioneve."

Vitet e fundit, shumë vende të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Lituaninë, Kosovën, Argjentinën, Kolumbinë dhe Paraguajin e kanë konsideruar Hezbollahun si një të tërë, dhe jo vetëm krahun e saj ushtarak, si një organizatë terroriste.

Tani një tjetër vend evropian, Serbia, synon të bashkohet me listën në rritje. Si pjesë e marrëveshjes historike midis Serbisë dhe Kosovës për të normalizuar lidhjet ekonomike, Serbia njoftoi se do ta konsiderojë Hezbollahun si një entitet terrorist të tërë. Kosova e bëri një gjë të tillë në qershor. Për fat të keq, vende të tjera, si dhe Bashkimi Evropian, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke cilësuar si terrorist vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut.

Shtetet e Bashkuara e mirëpritën angazhimin e Serbisë. Sekretari i Shtetit Pompeo e quajti "një hap tjetër domethënës që kufizon aftësinë e këtij grupi terrorist të mbështetur nga Irani për të vepruar në Evropë".

Një përkufizim i tillë për atë që Departamenti Amerikan i Shtetit e ka quajtur "përfaqësuesi kryesor terrorist i Iranit" është i nevojshëm, duke pasur parasysh për shembull sulmin terrorist të vitit 2012 nga Hezbollahu në Bullgari që vrau gjashtë vetë, dhe një komplot të ngjashëm të parandaluar në Qipro po atë vit. Për më tepër, siç vë në dukje raporti vjetor më i fundit i Departamentit të Shtetit për terrorizmin, "Ashtu si në vitet e kaluara, qeveria iraniane vazhdoi të mbështeste komplotet terroriste për të sulmuar disidentët iranianë në disa vende të Evropës. Vitet e fundit, Holanda, Belgjika dhe Shqipëria arrestuan ose dëbuan zyrtarë të qeverisë iraniane të implikuar në komplote të ndryshme terroriste në territoret e tyre përkatëse ".

Duke përshëndetur vendimin e Serbisë, Sekretari i Shtetit Pompeo tha, "Nuk ka dyshim se Hezbollahu po ndjen efektin domino për operacionet e tij në Evropë”.

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane që ta cilësojnë si organizatë terroriste ose ta ndalojnë Hezbollahun në tërësinë e tij", tha Sekretari Pompeo, "dhe të pranojnë realitetin se është një organizatë terroriste pa dallime midis të ashtuquajturve "krahu ushtarak” dhe "politik". Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve në Evropë dhe gjetkë që të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të mos lejuar që operacionet, rekrutuesit dhe financuesit e Hezbollahut të veprojnë në territoret e tyre ".

XS
SM
MD
LG