Liria fetare është një e drejtë themelore e njohur në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara: “Kongresi nuk do të sanksionojë fenë me ligj, ose të ndalojë ushtrimin e lirë të saj”.
Peter Berkowitz, Drejtor i Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit, thotë se ekziston një lidhje reciproke mes vendeve që mbrojnë lirinë fetare dhe atyre që respektojnë të drejat e tjera themelore.
“Ne e dimë forcën e lidhjes mes vendeve që mbrojnë lirinë fetare dhe vendeve që mbrojnë të gjitha liritë e tjera për të cilat Shtetet e Bashkuara janë kujdesur tradicionalisht. Kjo padyshim që ka kuptim nëse po mbron lirinë për të patur një mendim ndryshe rreth një çështjeje për të cilën qeniet njerëzore kanë luftuar më së shumti. Dallimi i mendimit, ose opinionit rreth Zotit.”
Ka vende autoritare, përfshi Kinën, Iranin dhe Rusinë që pretendojnë se për shkak se Shtetet e Bashkuara nuk i respektojnë në mënyrë të përsosur të drejtat e njeriut në vend, ato nuk kanë të drejtë që të nxisin liri të tilla jashtë vendit.
Por zoti Berkowitz thotë se ky është një sugjerim skandaloz.
“Ekziston një dallim thelbësor mes demokracive liberale si Shtetet e Bashkuara, të cilat bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe vendeve si Kina, Irani, Rusia, të cilat hedhin poshtë pikërisht idenë e të drejtave të njeriut. Padyshim, nuk dua të mohoj se ka kundërshtarë të guximshëm në Rusi, Kinë dhe Iran. Ne e dimë që ka. Por shoqëria politike në tërësi nuk lejohet të zhvillojë biseda të tilla.”
Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, tha zoti Berkowitz, përcaktojnë një standard universal për vlerësimin e të gjitha formave të qeverisjes, gjë për të cilën të gjitha qeveritë duhet të aspirojnë. Ai gjithashtu shprehu shpresën se, “njerëzit të arrijnë të vlerësojnë se demokracia liberale, është forma më e përshtatshme e qeverisjes për të mbrojtur të drejtat e njeriut.”