Accessibility links

Breaking News

Nisma e Tre Deteve


Three Seas Initiative
Three Seas Initiative

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Nisma e Tre Deteve shërben si një mur mbrojtës kundër ndikimit keqdashës të regjimeve autoritare si Rusia dhe Kina.

Në të përfshihen 12 vende demokratike, vende anëtare të Bashkimit Evropian, që shtrihen mes Detit Baltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik. Nisma e Tre Deteve synon të mbështesë investime të reja në infrastrukturë, sikurse lidhjen veri-jug, rritjen ekonomike, të garantojë siguri energjitike si dhe mbrojtje kundër ndikimit keqdashës të regjimeve autoritare si Rusia dhe Kina.

Kohët e fundit sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbajti një fjalim në takimin e nivelit të lartë në kuadër të Nismës së Tre Deteve, duke u kërkuar shteteve anëtare të përqafojnë "mundësitë që shtrihen përpara nesh për të përmirësuar jetën e njerëzve tanë", sikurse u shpreh ai.

“Aktualisht ne kemi një mundësi për të siguruar një rritje të shpejtë dhe për të tërhequr investime të sektorit privat, duke rritur standardet e jetesës për një periudhë afatgjatë. Gjithashtu ne kemi një mundësi për të lidhur së bashku infrastrukturën dhe tregjet tona të energjisë në një mënyrë që do të garantonte siguri ekonomike për brezat që vijnë", shtoi ai.

Një nismë e mbështetur mirë financiarisht dhe e orientuar drejt veprimeve konkrete për të zgjidhur probleme e pengesa sikurse Nisma e Tre Deteve, do të ndihmonte në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, tha sekretari Pompeo. Por ai paralajmëroi se edhe aktualisht "autokratët në Moskë dhe Pekin po arrijnë marrëveshje në fushën e infrastrukturës si një mënyrë për të pasur ndikim strategjik e politik tek njerëzit e lirë. Ne e kemi parë këtë me projektin Nord Stream 2. Kemi parë efektet dërrmuese të marrëveshjeve kineze në fushën e infrastrukturës në të gjithë botën, nga Laosi në Malin e Zi dhe në Pakistan”.

"Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin sërish fuqi autoritare që kompromentojnë sovranitetin ose lirinë e kombeve të lira. Në fakt SHBA ka demonstruar vendosmëri duke njoftuar se do të investojë deri në një miliard dollarë në projektet infrastrukturore të vendeve që përfshihen në Nismën e Tre Deteve”, tha zoti Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit u bëri thirrje vendeve anëtare të Nismës së Tre Deteve që nuk kanë derdhur para në fondin e saj të investimeve, ta bëjnë këtë menjëherë si dhe vendeve të tjera anëtare të rrisin nivelin e kontributeve.

Hapi tjetër duhet të jetë sigurimi i avantazheve për sektorin privat. Për ta bërë këtë, tha sekretari Pompeo, duhen praktika të ndershme e të barabarta veprimi.

"Është thelbësore që politikat kombëtare të jenë sa më tërheqëse, të mos favorizojnë ndërmarrjet shtetërore ose që politika të mos ndërhyjë në investimet e tyre".

Një tjetër shqetësim lidhet me sigurinë.

"Partia Komuniste Kineze po pret vetëm sa të vjedhë të dhënat tuaja", paralajmëroi sekretari Pompeo. Ai tha se duhet të përjashtohen marrëdhëniet e pasigurta të biznesit në fusha si telekomunikacioni, energjia dhe rrjetet kritike të transportit.

Dhe së fundmi është kritike që fjalët të shndërohen në vepra tha sekretari Pompeo. "Ju inkurajoj të zhvendoseni nga faza e parë e projekteve ndërkombëtare, nga koncepti tek nisja e zbatimit të tyre menjëherë. Ndërsa përparoni, duhet ta dini që nuk do të jeni vetëm. Ne qëndrojmë bashkë me miqtë tanë evropianë në shtratin e fuqishëm të lirisë e demokracisë, një themel i miqësisë aktuale dhe të viteve që do të vijnë", tha ai.

XS
SM
MD
LG