Accessibility links

Breaking News

Dita e Krishlindjes


Komenti në vazhdim pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

25 dhjetori është një nga ditët më të rëndësishme për të krishterët, që përkujton lindjen rreth 2000 vjet më parë të Jezu Krishtit, e që adhurohet nga besimtarët e kësaj feje si i dërguari i Zotit, shpëtimtari, dhe personifikimi i dritës. Prindërit e tij, Maria dhe Jozefi ishin të varfër dhe tradita thotë se Jezusi lindi në të ftohtin e një stalle në thellësitë më të errëta të dimrit.

Qysh në kohërat e lashta, njerëzit që jetojnë në hemisferën Veriore kanë festuar Solsticin dimëror, ndërsa ditët e venitura u lënë vendin ditëve të zgjatura dhe natyra ripërtërihet. Popujt e lashtë në mbarë botën mirëprisnin ndërrimin e viteve dhe rishfaqjen e diellit me kremtime dhe rituale të veçanta, disa prej të cilave kremtohen edhe sot, duke e vënë theksin tek drita. Festimi i lindjes së Jezusit pranë kohës së Solsticit shfrytëzon këto dëshira të lashta dhe kremtimet e mesit të dimrit që janë ende të pranishme në festimet e komuniteteve të tjera në mbarë botën.

Rreth 22 dhjetorit, kinezët dhe një numër i popujve të Azisë Lindore kremtojnë festivalin Dongzhi, që mbledh familjet së bashku për të kujtuar vitin e kaluar, si dhe për të festuar ardhjen e dimrit dhe kthimin e dritës. Festivali i lashtë Yalda është një festë e Solsticit dimëror në Iran, ndërsa japonezët kremtojnë Tojin, një praktikë tradicionale që përqendrohet tek urimet për fillimin e vitit të ri me shëndet dhe fat të mirë.

Festimet janë të ndryshme, por kudo mbizotëron fryma e gëzimit dhe optimizmit. Për të krishterët, tradita ndër shekuj është lajmërimi nga një ëngjëll në natën e parë të Krishtlindjes, për lindjen me premtimin për “Paqe në Tokë; vullnet të mirë mes njerëzve".

"Çdo vit në këtë periudhë, kuptojmë se fryma e vërtetë e Krishtlindjes nuk është ajo çfarë kemi, por cilët jemi. Secili prej nesh është fëmijë i Zotit. Ky është burimi i vërtetë i gëzimit këtë kohë të vitit. Kjo është ajo që e bën çdo Krishtlindje të lumtur", tha Presidenti Donald Trump.

"Ne lutemi që vendi ynë të jetë një vend ku çdo fëmijë të ketë një shtëpi të mbushur me dashuri, një komunitet të pasur me shpresë dhe një komb të bekuar me besim".

XS
SM
MD
LG