Accessibility links

Breaking News

Kampuset e kolegjeve amerikane kundër PKK-së


"Botës së lirë i është dashur një kohë e gjatë për të kuptuar trajektoren në të cilën ndodhet sot Kina", tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo në komentet e bëra në Institutin e Teknologjisë në Xhorxhia.

Prej një kohe të gjatë, shumë njerëz mendonin se duke tregtuar dhe duke u angazhuar me Kinën, përfundimisht Partia Komuniste Kineze do të përqafonte lirinë ekonomike dhe politike dhe kështu do të përbënte më pak rrezik për lirinë në të gjithë botën, shpjegoi Sekretari Pompeo:

“Në vend të kësaj, komunistët kinezë përdorën pasurinë që u krijua nga kjo për të forcuar kontrollin e tyre të pushtetit, kontrollin e pushtetit mbi popullin kinez dhe për të ndërtuar një shtet shtypës të teknologjisë së lartë që bota nuk e kishte parë kurrë."

"Partia Komuniste Kineze e di që nuk mund ta arrijë kurrë fuqinë e novacionit [amerikan]", deklaroi Sekretari Pompeo. Kjo është arsyeja pse PKK-ja ka qenë veçanërisht aktive në kampuset e kolegjeve amerikane në përpjekje për të ushtruar ndikim përmes financimeve dhe për të vjedhur kërkimet shkencore me vlerë që bëhen aty:

“Ka shumë studiues amerikanë - shpesh duke bërë kërkime të financuara nga taksapaguesit amerikanë - që janë joshur të hyjnë në programet e Partisë Komuniste Kineze për rekrutimin e talenteve. PKK u paguan atyre para të madhe për të bërë kërkime për Kinën ose në Kinë në fushat e tyre dhe pastaj shpesh përdor frytet e fuqisë së tyre mendore për të rritur forcën e saj ushtarake.”

Disa nga viktimat më të mëdha të PKK në kampuse janë shtetas të pafajshëm kinezë. Disa studentë nga Kina në universitetet amerikane jetojnë me frikën se familjet e tyre do të merren në pyetje nëse diskutojnë hapur tema të gjykuara nga PKK si delikate ose të debatueshme, kur janë të regjistruar në universitetet amerikane.

Sekretari Pompeo gjithashtu u kërkoi studiuesve të jenë vigjilentë kundër mashtrimit dhe vjedhjes dhe të refuzojnë fondet e PKK. "Ne nuk mund ta lejojmë këtë regjim tiranik [PKK] të na vjedhë [risitë] tona, të rrisë fuqinë e tij ushtarake dhe të shplajë trurin e njerëzve tanë, ose të blejë institucionet tona për t'i ndihmuar ata të mbulojnë këto aktivitete", deklaroi Sekretari Pompeo. Ai u kërkoi administratorëve të universiteteve amerikane të mbyllnin Institutet Konfuci dhe të hetonin të ashtuquajturat grupe studentore, të mbështetura nga PKK, që veprojnë aktualisht në kampuset e tyre.

Për më tepër, studentët amerikanë është e nevojshme të mbështesin me guxim fjalën e lirë për veten e tyre dhe për homologët kinezë në kampuset ku ndodhen.

"Le të mos e braktisim flamurin e lirisë për të mbrojtur shkollat tona, atë liri mbi të cilën u ndërtuan këto institucione", tha Sekretari Pompeo. “Kjo do të ndihmojë sigurinë tonë kombëtare. Do të ndihmojë për t’u mbrojtur nga kërcënimi kryesor i kohës sonë, që është Partia Komuniste Kineze."

XS
SM
MD
LG