I rrethuar nga mijëra flamuj që valviteshin në erën e ftohtë të dimrit, Joseph Robinette Biden, Jr u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara në shkallët e Kapitolit më 20 janar.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, Presidenti Biden u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të bashkohen për të kapërcyer sfidat e kombit dhe për të siguruar të ardhmen e tij.
“Historia, besimi dhe arsyeja tregojnë rrugën, rrugën e bashkimit. Ne mund ta shohim njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si fqinjë. Ne mund ta trajtojmë njëri-tjetrin me dinjitet dhe respekt. Ne mund të bashkojmë forcat, të ndalim britmat dhe të ulim temperaturën ... Ky është momenti ynë historik i krizës dhe sfidës, dhe bashkimi është rruga përpara", tha ai.
Presidenti Biden dha një mesazh edhe për njerëzit jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara:
“Ne do të riparojmë aleancat tona dhe do të angazhohemi përsëri me botën. Jo për tu ndeshur me sfidat e djeshme, por me të sotmen dhe të nesërmen. Ne do të udhëheqim jo thjesht me shembullin e forcës sonë, por me forcën e shembullit tonë. Ne do të jemi një partner i fortë dhe i besuar për paqen, përparimin dhe sigurinë”.
Më vonë atë ditë, Presidenti Biden nënshkroi disa urdhra ekzekutivë duke patur parasysh këto synime. Përmes një urdhëri ekzekutiv filloi procesi që Shtetet e Bashkuara të bashkohen me marrëveshjen e Parisit për klimën. Një tjetër ndaloi tërheqjen e SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Një tjetër shfuqizon ndalimin e udhëtarëve nga disa vende me shumicë myslimane dhe të tjerë nga Afrika dhe gjetkë. Një tjetër urdhër ekzekutiv ndërpret ndërtimin e murit kufitar SHBA-Meksikë dhe i jep fund një deklarate emergjence që ndihmoi në autorizimin e financimit të tij.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, Presidenti Biden i bëri thirrje popullit amerikan "për një fillim të ri". Ai i sfidoi ata që së bashku të "shkruajnë një histori amerikane të shpresës, jo frikës; të bashkimit dhe jo të ndarjes… Historinë që do t’u thotë brezave të ardhshëm, se ne iu përgjigjëm thirrjes … Se Amerika jonë siguroi lirinë në vend dhe qëndroi edhe një herë si një fener për botën”.