Më 24 shkurt, Zëri i Amerikës feston 79 vjetorin e transmetimit të tij të parë.
Në ditët e errëta, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, qeveria e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin se kishte nevojë për t'iu kundërvënë propagandës naziste duke krijuar një media të vetën, e cila do të ofronte lajme dhe informacione të sakta dhe të paanshme. Kështu, më 1 shkurt 1942 u themelua Zëri i Amerikës duke transmetuar programin e tij të parë 15 minutësh, në gjermanisht, më 24 shkurt.
“Hier spricht die Stimme Amerika. Heute, und taeglich von Heute an... Ky është një zë që ju flet nga Amerika. Çdo ditë, në këtë kohë do t'ju flasim për Amerikën dhe luftën. Lajmet mund të jenë të mira, ose të këqija. Ne do t'ju tregojmë të vërtetën.”
Që nga fillimi, Zëri i Amerikës është përpjekur të jetë një dritare e jetës amerikane. Në të vërtetë, siç kërkohet me ligj, Zëri i Amerikës duhet të paraqesë lajme të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse; një prezantim të ekuilibruar, dhe bashkëkohor të mendimit dhe institucioneve të rëndësishme amerikane; si dhe të politikave të Shteteve të Bashkuara.
Është detyra e Zërit të Amerikës "të tregojë historinë e Amerikës në mbarë botën", tha Presidenti John Kennedy në 20 vjetorin e Zërit të Amerikës:
“Kjo është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë dhe e rëndësishme. Nga njëra anë ju jeni një krah i qeverisë dhe për këtë arsye krah i kombit, dhe është detyra juaj t’i tregoni botes historinë tonë në një mënyrë që shërben për të përfaqësuar demokracinë dhe Shtetet e Bashkuara në aspektin më të mirë. Por nga ana tjetër, si pjesë e kauzës së lirisë dhe si krahu i lirisë, ju e keni si detyre të tregoni historinë tonë në një mënyrë të vërtetë, ta tregoni atë, ashtu siç thotë Oliver Cromwell për portretin e tij, "me të gjitha njollat dhe papërsosmëritë, me të gjitha ato gjëra që mund të mos jenë dhe aq tërheqëse", tha ish presidenti Kennedy.
Dhe kështu, njerëzit në të gjithë botën dëgjuan ngjarjet e mëdha të shekullit në Zërin e Amerikës, duke përfshirë një rekord prej 615 milionë dëgjuesish që ndoqën uljen në Hënë më 20 korrik 1969.
Siç tha Departamenti i Shtetit në një postim në Twitter më 1 shkurt 2021, “Gjatë transmetimit të tij të parë Zëri i Amerikës u tha dëgjuesve:‘Lajmet mund të jenë të mira ose të këqija. Ne do t'ju themi të vërtetën’. Nga ai transmetim e deri më sot, Zëri i Amerikës ka informuar, angazhuar dhe bashkuar njerëzit në të gjithë botën në mbështetje të lirisë dhe demokracisë.”