Accessibility links

Breaking News

Izraeli dhe Kosova vendosin marrëdhënie diplomatike


Kosovo/Israel
Kosovo/Israel

.Izraeli dhe Kosova vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike, pas vendimit për njohjen e ndërsjellë në shtator të vitit 2020, të bërë të ditur në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë.

Për shkak të masave paraprake të COVID 19, Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Jashtëm izraelit Gabriel Ashkenazi nënshkruan marrëveshjen në një ceremoni virtuale më 1 shkurt. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price e quajti atë "një ditë historike".

“Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë në promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në të dyja rajonet. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme”.

Vitin e kaluar, disa vende të tjera me shumicë myslimane dhe arabe krijuan lidhje të reja me Izraelin, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Sudanin që normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vjeshtën e vitit 2020. Në dhjetor, Maroku dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të përbashkët që premton bashkëpunimin në një numër fushash dhe ranë dakord të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike në të ardhmen e afërt.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të vazhdojnë më tej përparimin e bërë në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe vendet e tjera.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin vendet e tjera të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin dhe ne do të kërkojmë mundësi të tjera për të zgjeruar bashkëpunimin mes vendeve në rajon".

Ai paralajmëroi, megjithatë, se normalizimi midis Izraelit dhe vendeve të tjera nuk është një zëvendësim për paqen izraelito-palestineze. "Shpresojmë," tha ai, "se ndërsa Izraeli dhe vendet e tjera në rajon bashkohen në një përpjekje të përbashkët për të ndërtuar ura dhe për të krijuar rrugë të reja për dialog dhe shkëmbime, këto përpjekje do të kontribuojnë në një përparim të prekshëm drejt qëllimit për një paqe të negociuar midis izraelitëve dhe palestinezëve”.

XS
SM
MD
LG