Accessibility links

Breaking News

Më shumë shtypje të demokracisë në Hong Kong


Republika Popullore e Kinës (RPK) vazhdon fushatën e saj për të dëmtuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Hong Kong ndërsa aktivistët pro demokracisë vazhdojnë të vuajnë dënime për veprimet e tyre në mbështetje të lirive themelore.

Më 1 prill, shtatë prej aktivistëve kryesorë pro-demokracisë në Hong Kong u dënuan për grumbullim të paautorizuar gjatë pjesëmarrjes së tyre në një protestë paqësore në gusht të vitit 2019. Mes tyre janë avokati 82 vjeçar Martin Lee dhe manjat i medias Jimmy Lai. Protestues të tjerë paqësorë përfshijnë ish-ligjvënësen e opozitës Margaret Ng dhe aktivistët veteranë Lee Cheuk-yan, Leung-Kwok, Albert Ho dhe Cyd Ho.

Më 8 prill, në një gjykim të veçantë, Jimmy Lai dhe Lee Cheuk-yan, si dhe aktivisti Yeung Sam, u shpallën fajtorë për pjesëmarrjen e tyre në një marshim të paligjshëm. "Unë e pranoj fajin, por nuk kam bërë asgjë të keqe në pohimin e të drejtave të njeriut për grumbullime paqësore dhe besoj se historia do të më shfajësojë," tha zoti Lee.

Protestat masive shpërthyen në Hong Kong në vitin 2019 në përgjigje të kundërshtimit të një projekt-ligji ekstradimi që kërkonte që qytetarët e Hong Kongut të gjykohen në gjykatat kineze. Në muajt e fundit, RPK ka zbatuar një ligj të ashpër të sigurisë kombëtare (NSL) dhe ndryshime thelbësore në sistemin zgjedhor të Hong Kongut, që ul në mënyrë drastike numrin e anëtarëve të zgjedhur drejtpërdrejt në legjislaturën e Hong Kongut. Përveç kësaj, mijëra protestues dhe shumë udhëheqës të shquar pro-demokracisë janë arrestuar sipas ligjit NSL dhe dispozitave të tjera.

Duke folur për dënimin e shtatë aktivistëve pro-demokracisë të Hong Kongut më 1 prill, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price i quajti akuzat kundër tyre "të motivuara politikisht", duke treguar edhe një herë, tha ai, "shkallën në të cilën kërkojnë autoritetet e RPK-së dhe Hong Kongut të shtypin të gjitha format e protestave paqësore në qytet".

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dënojnë sulmet e pandërprerea të RPK-së ndaj lirive themelore dhe institucioneve demokratike në Hong Kong ... Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me ata miliona qytetarë të Hong Kongut që kanë demonstruar paqësisht për të mbrojtur autonominë dhe liritë e premtuara nga RPK-ja”.

Duke vënë në dukje sanksionet që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj zyrtarëve kinezë në mars për kufizimin e lirive demokratike të Hong Kongut, zëdhënësi Price shtoi, "Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës ato autoritete në Pekin dhe në Hong Kong që kërkojnë të shkatërrojnë liritë themelore dhe autonominë që i takon Hong Kongut”.

XS
SM
MD
LG