Accessibility links

Breaking News

Rusia, më shumë agresion mbi Ukrainën


Russia drills
Russia drills

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Rusia ka njoftuar planet për të bllokuar anijet e huaja detare dhe ato shtetërore në disa pjesë të Detit të Zi për gjashtë muaj ndërsa zhvillon manovra ushtarake. Zonat janë përreth Krimesë së pushtuar dhe bllokojnë kalimin përmes Ngushticës Kerç. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian pohuan se plani rus është provokues dhe destabilizues. Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë lëvizjen ruse "tepër shqetësuese".

"Rusia ka një histori të gjatë të ndërmarrjes së veprimeve agresive kundër anijeve ukrainase dhe në pengimin e hyrjes në portet e Ukrainës në Detin Azov, duke ndikuar tregtinë ndërkombëtare të Ukrainës," shkroi ai. Në një deklaratë të veçantë, zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu tha se, "Militarizimi i vazhdueshëm nga Rusia i Krimesë, Detit të Zi dhe Detit Azov janë kërcënime të mëtejshme për pavarësinë e Ukrainës dhe dëmtojnë stabilitetin e rajonit më gjerë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të sigurojë hyrje të lirë në portet ukrainase në Detin Azov dhe të lejojë lirinë e lundrimit".

Bashkimi Evropian tha se plani rus është "shumë shqetësues" dhe gjithashtu i bëri thirrje Moskës që të lejojë kalimin e lirë të anijeve në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Masa ruse për të kufizuar lundrimin në disa pjesë të Detit të Zi deri në tetor vjen në të njëjtën kohë me dislokimin më të madh të trupave pranë kufirit ukrainas nga Rusia që nga fillimi i konfliktit të saj me Ukrainën. Ky konflikt, i cili filloi në vitin 2014 me pushtimin e Krimesë nga Rusia dhe pushtimin e Ukrainës lindore, ka çuar në vdekjen e më shumë se 14,000 njerëzve dhe vazhdon ndërsa ushtria ukrainase mbron territorin e saj kundër forcave të udhëhequra nga Rusia e të dislokuara në disa pjesë të Ukrainës lindore nën kontrollin e Rusisë që nga viti 2014.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Price tha se, "Shtetet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, edhe në ujërat e saj territoriale. Shtetet e Bashkuara nuk e njohin dhe nuk do ta njohin kurrë aneksimin e pretenduar të Krimesë nga Rusia. " Zëdhënësi Price shtoi, "Ne e përgëzojmë Ukrainën për përmbajtjen e saj të vazhdueshme përballë provokimeve ruse dhe i bëjmë thirrje Rusisë të ndalë frikësimin e anijeve në rajon dhe të anulojë planet për dislokimin e forcave të saj përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krimenë e pushtuar".

XS
SM
MD
LG