Accessibility links

Breaking News

Politika amerikane drejt vendeve të Ballkanit Perendimor


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

“Ne po punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë evropianë për të përmirësuar qeverisjen, zbatimin e ligjit, dhe reformat kundër korrupsionit, si dhe për të mbështetur median e pavarur dhe shoqëritë civile aktive”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price. Kjo do të çojë në realizimin e objektivit afatgjatë për një Europë të lirë, të bashkuar dhe në paqe. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë partneritetin e tyre ekonomik rajonal, të arrijnë objektivat e tyre për ndryshimet klimatike, të kundërshtojnë ndikimin e Rusisë përmes energjisë duke diversifikuar dhe zhvilluar energji së pastër dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

"Ne gjithashtu duam të ndihmojmë rajonin të rritet ekonomikisht dhe të përparojë duke mbrojtur infrastrukturën dhe industritë strategjike kundër praktikave keqdashëse të Kinës”, vuri në dukje zëdhënësi Price.

Përveç lidhjeve të saj të forta ekonomike me rajonin, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetet e tyre në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përfshirë aleatët më të rinj të NATO-s, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma të rëndësishme dhe vazhdojmë të mbështesim hapjen e negiciatave të pranimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet në qershor, "tha zoti Price.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mbështetur në njohjen e ndërsjellë, që vendos themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm. “Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe inkurajojmë palët që të riangazhohen në këtë proces me një ndjenjë urgjence për të adresuar si çështjet teknike ashtu edhe ato politike,” tha zëdhënësi Price.

Shtetet e Bashkuara po punojnë me bashkësinë ndërkombëtare për të

mbështetur Bosnje Hercegovinën për vazhdimin e reformave që do të bëjnë të mundur që ajo të përparojë dhe të sigurojë statusin e kandidatit për në BE, përfshirë reformën zgjedhore. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, e cila u krijua 25 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqen, ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për paqen dhe stabilitetin atje.

Spekulimet e fundit të pajustifikuara në lidhje me ndryshimin e kufijve në Ballkan sipas vijave etnike rrezikojnë të nxisin paqëndrueshmërinë në rajon dhe sjellin në mendje kujtime të tensioneve të kaluara, paralajmëroi zëdhënësi Price. “Një e ardhme e qëndrueshme dhe e begatë e Ballkanit Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, demokracinë multi-etnike dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

XS
SM
MD
LG