Accessibility links

Breaking News

Shkaqet rrënjësore të migrimit të parregullt në Shtetet e Bashkuara


Komenti në vazhdim pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

Administrata Biden-Harris ka përcaktuar një qasje ambicioze, shumëplanëshe për të adresuar shkaqet themelore të migrimit të parregullt ose lëvizjen ndërkufitare të personave jashtë ligjeve, rregulloreve apo marrëveshjeve ndërkombëtare që përcaktojnë kalimin e kufijve ndërkombëtarë.

Kjo qasje përfshin punën me vendet e Amerikës Qendrore dhe qeveritë e tjera partnere, shoqërinë civile, sektorin privat dhe organizatat ndërkombëtare për të adresuar kushtet në rajon që kanë detyruar kaq shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre për në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një takimi dypalësh virtual në 26 prill me presidentin e Guatemalës Alejandro Giammattei, nënpresidentja Kamala Harris tha se një numër çështjesh të pazgjidhura shpesh referohen si shkaqe themelore të migrimit të parregullt.

“Shohim çështjen e varfërisë dhe mungesën e mundësive ekonomike; çështja e kushteve ekstreme të motit dhe mungesën e adaptimit; si dhe korrupsionin dhe mungesën e qeverisjes së mirë; dhunën ndaj grave, indigjenëve, komunitetit LGBTQ dhe pasardhësve afrikanë ”.

“Shtetet e Bashkuara kanë në plan të shtojnë ndihmën në rajon; të forcojmë bashkëpunimin tonë për të menaxhuar migracionin në një mënyrë efektive, të sigurt dhe njerëzore ”, tha nënpresidentja Harris.

"Përveç punës sonë dypalëshe dhe përpjekjeve tona shumëpalëshe, Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një strategji gjithëpërfshirëse me institucionet ndërkombëtare, me aleatët në të gjithë globin, me fondacione këtu në Shtetet e Bashkuara, dhe sektorin privat, si dhe organizatat e komunitetit".

Nënpresidentja Harris njoftoi pas takimit virtual se Shtetet e Bashkuara po sigurojnë një shtesë prej 310 milionë dollarësh ndihma humanitare dhe furnizime ushqimore në rajon për të përmbushur nevojat urgjente dhe të menjëhershme.

Kjo përfshin ndihmën humanitare për njerëzit në El Salvador, Guatemalë, Honduras dhe rajon. Ndihma humanitare ofron ndihmë urgjente ushqimore, strehim, kujdes shëndetësor, kontroll për kequshqyerje, dhe pajisje higjenike dhe sanitare, mbrojtje, programe të rimëkëmbjes ekonomike, dhe trajnime për qëndrueshmëri ndaj katastrofave të ardhshme natyrore dhe klimatike.

"Një pjesë e frymëzimit që qëndron pas punës sonë është se, sigurisht, Hemisfera Perëndimore është shtëpia jonë e përbashkët, dhe ne kemi një përgjegjësi, pra, të angazhohemi për njerëzit aty dhe për fqinjët tanë", tha nënpresidentja Harris.

"Unë besoj se për të qënë e suksesshme, puna do të kërkojë pjesëmarrjen e të gjithëve. Dhe besoj, do të duhet gjithashtu vullnet politik dhe punë e palodhur për të përmbushur qëllimet tona. Por unë kam besim se ne mund të bëjmë përparim dhe të krijojmë një ndjenjë shprese për të ardhmen”, tha nënpresidentja Harris.

XS
SM
MD
LG