Accessibility links

Breaking News

Përpjekja e Shteteve të Bashkuara për të zbuluar origjinën e COVID-19


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Agjencitë amerikane të zbulimit janë udhëzuar nga Presidenti Joe Biden të shtojnë përpjekjet e tyre të kërkimit për të përcaktuar origjinën e COVID-19.

Sipas një raporti që Shtëpia e Bardhë mori në maj, pas fillimit të një hetimi në mars me kërkesën e Presidentit, agjencitë po punojnë rreth dy "skenarëve të mundshëm" për të gjetur se si filloi pandemia: virusi ose doli nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar, ose nga një aksident laboratorik.

Në një deklaratë që njoftonte kërkesën e tij për një shqyrtim dhe analizë të mëtejshme, Presidenti Biden tha se agjencitë nuk kishin arritur në një konkluzion përfundimtar mbi çështjen e origjinës së COVID-19. Pozicioni i tyre aktual, thuhet në deklaratën e presidentit, ku citohet raporti, ishte se "ndërsa dy elementë në komunitetin e inteligjencës anojnë nga skenari i parë dhe njëri anon më shumë drejt tjetrit – secili prej tyre me besim të ulët ose të moderuar - shumica e elementëve të tjerë nuk besojnë se ka informacion të mjaftueshëm për të deklaruar se njëri skenar ka më shumë të ngjarë se tjetri”.

Më 26 maj, Presidenti Biden njoftoi se i kërkoi komunitetit të inteligjencës "të dyfishojë përpjekjet" në mënyrë që të na sjellin më pranë arritjes së një konkluzioni përfundimtar dhe t'i raportojnë presidentit përsëri pas 90 ditësh. Si pjesë e këtij raporti, presidenti kërkoi "hapjen e pistave të hetimeve të mëtejshme që mund të jenë të nevojshme, duke përfshirë pyetje specifike për Kinën." Përpjekja e re do të përfshijë hulumtime nga laboratorët kombëtarë të Shteteve të Bashkuara dhe agjencive të tjera për të mbështetur punën e komunitetit të inteligjencës.

"Shtetet e Bashkuara," shtoi Presidenti Biden, "do të vazhdojnë gjithashtu të punojnë me partnerë në të gjithë botën që ndajnë të njëjtat vlerësime për t'i bërë presion Kinës të marrë pjesë në një hetim të plotë ndërkombëtar, transparent, të bazuar në prova dhe për të siguruar qasje në të gjitha të dhënat dhe provat përkatëse”.

COVID-19 u ka marrë jetën e miliona njerëzve në të gjithë botën, më shumë se 600,000 prej tyre vetëm në Shtetet e Bashkuara. Siç tha zëvendës Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, "është e domosdoshme të gjejmë se si filloi pandemia - jo vetëm për të kuptuar më mirë këtë pandemi, por edhe pandemitë që do të vijnë".

XS
SM
MD
LG