Accessibility links

Breaking News

SHBA shpallin ish-presidentin shqiptar Sali Berisha të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë


Sali Berisha ex-president of Albania
Sali Berisha ex-president of Albania

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Në fund të majit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përcaktoi publikisht ish-figurën politike të nivelit të lartë në Shqipëri Sali Berisha si të përfshirë në korrupsion të lartë. Sali Berisha ka shërbyer si Presidenti i dytë i Shqipërisë nga viti 1992 në 1997, si Kryeministër i vendit nga viti 2005 në 2013 dhe gjatë 30 viteve të fundit, si anëtar i Parlamentit të Shqipërisë.

"Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë," tha Sekretari Blinken në një deklaratë me shkrim.

"Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë."

Përcaktimi publik për korrupsion do të thotë që Sali Berisha, gruaja dhe dy fëmijët e tij janë të ndaluar të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Bankës Botërore, korrupsioni është një formë pandershmërie ose vepër penale e kryer nga një person ose organizatë e besuar me një pozitë, për të marrë një formë përfitimi, ose që abuzon me pushtetin për përfitime private të dikujt. Në të vërtetë, ka prova të forta se vendet më të korruptuara priren të kenë nivele më të ulëta të zhvillimit njerëzor.

Sipas Transparency International, një organizatë jo-fitimprurëse joqeveritare që punon për të ekspozuar korrupsionin dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që vijnë prej tij, "korrupsioni ka të ngjarë të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike afatgjatë përmes ndikimit të tij në investime, taksime, shpenzimet publike dhe zhvillimin njerëzor”. Në të vërtetë, korrupsioni “ndikon në shpërndarjen e drejtë të burimeve në popull, duke rritur pabarazitë në të ardhura, duke dëmtuar efektivitetin e programeve të mirëqenies sociale dhe përfundimisht duke rezultuar në nivele më të ulëta të zhvillimit njerëzor. Kjo, nga ana tjetër, mund të dëmtojë zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë, rritjen ekonomike dhe barazinë".

Me fjalë të tjera, korrupsioni është një pengesë e rëndësishme për përparimin.

"Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për përgjegjshmëri dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë," tha sekretari Blinken.

"Ky përcaktim riafirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë përkrah popullit shqiptar. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë mjete si ky për të nxitur përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

XS
SM
MD
LG