Accessibility links

Breaking News

Goditja e opozitës politike në Rusi


Shpallja e fondacionit të Alexey Navalnit si organizatë e paligjshme është tregues i zgjerimit të shtypjes të opozitës politike, shoqërisë civile dhe mediave të pavarura nga qeveria ruse.

Me zgjedhjet parlamentare vetëm tre muaj larg, qeveria ruse ka shtuar goditjen e saj ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të Presidentit Vladimir Putin.

Arrestimi i aktivistit rus kundër korrupsionit dhe kritikut kryesor të Putinit, Alexey Navalny në prill pas kthimit të tij nga Gjermania, ku u trajtua për helmim nga agjenti nervor Noviçok, rezultoi në protestat më të mëdha të paautorizuara gjatë mandatit të Putinit. Që nga ajo kohë, autoritetet ruse kanë bërë përpjekje të mëdha për të dobësuar ose eliminuar gati të gjitha organizatat e opozitës në vend.

Goditja më e rëndësishme për opozitën erdhi më 9 qershor, kur një gjykatë në Moskë vendosi që zyrat politike të Alexey Navalny-t, si dhe Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit, ishin organizata "ekstremiste". Si rezultat, Fondacioni duhet të shpërbëhet dhe pronat e tij do të transferohen në pronësi të Federatës Ruse, ndërsa zyrat politike u urdhëruan të ndërpresin menjëherë të gjitha aktivitetet. Kushdo që vazhdon punën e organizatës, ose përpiqet ta ringjallë atë, përballet me një burgim prej gjashtë vjetësh.

Shtetet e Bashkuara dënojnë vendimin e gjykatës, tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë për shtypin. "Ky etiketim i vë anëtarët e stafit, vullnetarët dhe mijëra mbështetës në të gjithë Rusinë në rrezik të ndjekjeve penale dhe burgimeve për ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut të garantuara nga Kushtetuta e Rusisë, dhe kufizon më tej aftësinë e kandidatëve të opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Me këtë veprim, Rusia ka kriminalizuar në mënyrë efektive një nga lëvizjet e pakta të pavarura politike të vendit, "tha zëdhënësi Price.

Ai vuri në dukje se nxjerrja e jashtëligjshme e organizatës së Alexey Navalnit është tregues i goditjes së zgjeruar të qeverisë ruse ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe mediave të pavarura. "Vetë zoti Navalny mbetet i dobët fizikisht, i burgosur në bazë të provave politikisht të fabrikuara. Ne bëjmë përsëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, "tha zëdhënësi.

"Ne i bëjmë thirrje Rusisë të ndalojë abuzimin me etiketimet "ekstremiste" duke vënë në shënjestër organizata jo të dhunshme, t'i japë fund shtypjes ndaj zotit Navalny dhe mbështetësve të tij dhe të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare për të respektuar dhe siguruar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Populli rus, si të gjithë njerëzit, ka të drejtë të flasë lirisht, të formojë shoqata paqësore për qëllime të përbashkëta, të ushtrojë liritë fetare dhe të dëgjojë zërin e tij përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ".

XS
SM
MD
LG