Accessibility links

Breaking News

Kina kritikohet për sjelljen e papërgjegjshme në hapësirën kibernetike


Cyberattack, hacking
Cyberattack, hacking

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Në mes të korrikut, në një takim të nivelit të lartë të teknologjisë globale në zhvillim, Sekretari i Shtetit Antony Blinken theksoi se komuniteti i vendeve pjesëmarrëse duhet të punojë së bashku për të zvogëluar rreziqet e sigurisë kombëtare që vijnë nga aktivitetet kibernetike me synim keqdashës dhe teknologjitë në zhvillim.

“I kemi bashkuar vendet rreth një qasjeje që pranon një ligj ndërkombëtar për ta bërë të qartë se vendet qeverisen në hapësirën kibernetike ashtu si jashtë saj dhe që përcakton normat që zbatohen jo vetëm në kohë lufte, por edhe në kohë paqeje, sepse tani po shohim incidente të rëndësishme kibernetike jashtë kontekstit të luftës".

Më pak se një javë më pas, Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë ku dënuan sjelljen e papërgjegjshme të Republikës Popullore të Kinës ose RPK-së në hapësirën kibernetike, krahas deklaratave të lëshuara nga NATO-ja, Bashkimi Evropian, Britania, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Japonia.

"Ministria e Sigurisë Shtetërore të Kinës, ose MSS, ka ngritur një ekosistem të hakerave me kontrata kriminale që kryejnë aktivitete të sponsorizuara nga shteti dhe krime kibernetike për përfitimet e tyre financiare," tha në një deklaratë me shkrim Sekretari Blinken.

"Shtetet e përgjegjshme nuk cënojnë pa dallim sigurinë globale të rrjetit dhe nuk strehojnë me vetëdije kriminelë kibernetikë apo të sponsorizojnë ose bashkëpunojnë me ta. Këta hakerë të punësuar u kushtojnë qeverive dhe bizneseve miliarda dollarë duke vjedhur pronë intelektuale, duke marrë pagesa shpërblimesh dhe duke u përpjekur të ulin sigurinë kibernetike, të gjitha këto ndërkohë që MSS-ja i ka ata në borderotë e pagave," tha Sekretari Blinken.

Sekretari Blinken theksoi më tej se "qeveria e Shteteve të Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, konfirmoi zyrtarisht se aktorët kibernetikë të lidhur me MSS-në shfrytëzuan dobësitë në rrjetin Microsoft Exchange Server në një operacion masiv spiunazhi kibernetik që komprometoi pa dallim mijëra kompjutera dhe rrjete, që i përkisnin kryesisht sektorit privat”.

"Përveç angazhimeve të drejtpërdrejta të RPK-së për të mos u përfshirë në vjedhjen e pronës intelektuale të mundësuar nga sulmet kibernetike për përfitime komerciale, komuniteti ndërkombëtar ka parashtruar pritshmëri dhe udhëzime të qarta për ato veprime që përbëjnë sjellje të përgjegjshme në hapësirën kibernetike," tha ai.

"Shtetet e Bashkuara dhe vendet në mbarë botën po e mbajnë RPK-në përgjegjëse për sjelljen e saj të papërgjegjshme, përçarëse dhe destabilizuese në hapësirën kibernetike, e cila përbën një kërcënim të madh për sigurinë tonë ekonomike dhe kombëtare," tha Sekretari Blinken. "Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime që do të sjellin pasoja për aktorët keqdashës kibernetikë të RPK-së".

XS
SM
MD
LG