Accessibility links

Breaking News

Aktorët keqdashës kinezë në kibernetikë do të përballen me pasoja


Hacking
Hacking

Shtetet e Bashkuara dhe vende nga mbarë bota kanë akuzuar Republikën Popullore të Kinës për kryerjen dhe pjesëmarrjen në aktivitete keqdashëse në hapësirën kibernetike, përfshirë sulme piraterie dhe vjedhje të pronësisë intelektuale nga të cilat përfitojnë drejtpërsëdrejti kompanitë kineze.

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara që Kina ka ngritur një sipërmarrje spiunazhi ku përfshihen hakerë të kontraktuar, të cilët zhvillojnë edhe operacione të pavarura në mbarë botën për përfitimin e tyre personal. Modeli i sjelljes së papërgjegjshme të Kinës në hapësirën kibernetike nuk përputhet me objektivin e saj të deklaruar për t'u perceptuar si një udhëheqëse e përgjegjshme në skenën botërore.

Si një shembull i vjedhjes së pronësisë intelektuale dhe informacionit, një juri e madhe federale në San Diego të Kalifornisë, ngriti akuza ndaj katër shtetasve dhe rezidentëve të Republikës Popullore të Kinës në muajin maj, për zhvillimin e një fushate ndërhyrjeje kibernetike në kompjuterat e dymbëdhjetë kompanive, universiteteve dhe entiteteve qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj, gjatë viteve 2011-2018.

Akuzat që u bënë publike nga Departamenti amerikan i Drejtësisë më 16 korrik, thonë se sulmet u përqëndruan kryesisht në mbledhjen e informacionit që do ndihmonte kompanitë kineze dhe sektorët tregtarë. Me interes të veçantë ishte informacioni që do të shkurtonte punën intensive kërkimore dhe proceset e zhvillimit.

Ding Xiaoyang, Cheng Qingmin dhe Zhu Yunmin, janë oficerë në Departamentin e Sigurisë së Shtetit në Hainan, një degë rajonale e Ministrisë së Sigurisë së Shtetit të Kinës (MSS) që koordinon, lehtëson dhe menaxhon hakerat kompjuterikë dhe linguistët në kompanitë e ngritura nga MSS-ja për të bërë ndërhyrje kibernetike në dobi të Kinës dhe instrumentave të saj shtetërore dhe atyre të sponsorizuara nga shteti. Wu Shurong është një haker kompjuterash, i cili krijoi programe keqdashëse dhe ndërhyri në sistemet kompjuterike të operuara nga qeveritë, kompanitë dhe universitetet e huaja dhe mbikqyri hakerat e tjerë të kompanisë Hainan Xiandun.

Fushata e hakerimit vendosi në objektiv viktima në Shtetet e Bashkuara, Austri, Kamboxhia, Kanada, Gjermani, Indonezi, Malajzi, Norvegji, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Këto sulme kibernetike keqdashëse ndodhën megjithë një marrëveshjeje të vitit 2015 midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të frenuar vjedhjet e lidhura me kibernetikën.

"Këto akuza penale nxjerrin në pah edhe një herë se Kina vazhdon të përdorë sulme me aftësi kibernetike për të vjedhur atë që prodhojnë vendet e tjera, në shpërfillje flagrante të angazhimeve të saj dypalëshe dhe shumëpalëshe", tha Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa O. Monako.

"Siç dëshmohet nga aktakuza për tre oficerët e MSS-së dhe një prej hakerëve të tyre të kontraktuar", tha Sekretari Blinken, "Shtetet e Bashkuara do të imponojnë pasoja për aktorët kibernetikë keqdashës të Kinës për sjelljen e tyre të papërgjegjshme në hapësirën kibernetike".

XS
SM
MD
LG