Ka kaluar një vit që nga zgjedhjet e manipuluara presidenciale në Bjellorusi, të cilat nuk u konsideruan as të lira dhe as të drejta nga bashkësia ndërkombëtare. Protesta masive mbarëkombëtare u zhvilluan kundër Alyaksandr Lukashenkos, i njohur me nofkën "diktatori i fundit i Evropës".
Protestat u pritën me forcë brutale nga regjimi i Lukashenkos. Siç vëren raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në vitin 2020 për Bjellorusinë, të paktën katër protestues u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan; disa iu nënshtruan rrahjeve, abuzimeve seksuale dhe goditjeve me valë elektrike. Deri më sot, mbi 600 persona mbeten padrejtësisht nën arrest.
Në përvjetorin e zgjedhjeve të manipuluara, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu keqardhje për burgosjen e protestuesve paqësorë, mbylljen e 2 mediave të pavarura dhe përpjekjeve nga autoritetet bjelloruse për të heshtur OJQ-të dhe shoqërinë civile.
Siç vuri në dukje Sekretari i Shtetit Blinken, muajt e fundit taktikat e terrorit të regjimit Lukashenko kanë kaluar përtej kufijve tokësorë të Bjellorusisë. Në maj, autoritetet bjelloruse devijuan një avion pasagjerësh që fluturonte mbi hapësirën ajrore të Bjellorusisë me qëllim arrestimin e një gazetari bjellorus.
Kohët e fundit, autoritetet bjelloruse u përpoqën të detyrojnë atleten olimpike bjelloruse Krystsyna Tsimanouskaya, së cilës i është ofruar tani një vizë humanitare nga Polonia, të kthehej në Bjellorusi kundër vullnetit të saj, thjesht pasi ushtroi të drejtën e saj të lirisë së shprehjes duke kritikuar Komitetin Olimpik Bjellorus në mediat sociale.
Në përgjigje të shpërfilljes flagrante të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe dështimit të Bjellorusisë për të respektuar detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, më 9 gusht Sekretari i Shtetit Blinken njoftoi sanksione ndaj dyzet e katër individëve dhe 3 subjekteve "me qëllim që Alyaksander Lukashenko dhe regjimi i tij të japin llogari për shtypjen e vazhdueshme dhe të dhunshme të bjellorusëve brenda dhe jashtë vendit".
Personat dhe subjektet që janë vënë në shënjestër nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme të Departamentit Amerikan të Thesarit përfshijnë ndërmarrje shtetërore, zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë që mbështesin regjimin, lehtësojnë shtypjen e tij të dhunshme, si dhe shkelin sundimin e ligjit.
Sekretari Blinken përshëndeti sanksionet e vendosura në të njëjtën ditë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, si dhe ato të shpallura nga Bashkimi Evropian më 24 qershor në mbështetje të aspiratave demokratike të popullit bjellorus.
... Ne do të vazhdojmë të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin dhe abuzojnë të drejtat e njeriut në Bjellorusi. Ne qëndrojmë me popullin e Bjellorusisë në mbështetje të të drejtave të tyre të njeriut dhe lirive themelore”.