Në një fjalim të fundit në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, Sekretari i Shtetit Antony Blinken parashtroi katër sfida të rëndësishme që vendet anëtare duhet të punojnë së bashku për t'i zgjidhur.
E para, natyrshëm, tha se Sekretari Blinken është pandemia e COVID-19.
“OECD-ja na ka ofruar të dhëna kritike që parashikojnë ndikimin ekonomik të kësaj krize. OECD-ja ishte ndër organizatat e para që nxiti disa vende të bënin blerje paraprake të vaksinave, gjë që i lejoi kompanitë të dyfishonin prodhimin. Kjo është qasja që do të ndihmojë SHBA-në të përmbushë zotimin e marrë nga Presidenti Biden për të vaksinuar plotësisht të paktën 70 për qind të popullsisë deri në vitin 2022“.
Sfida e dytë është kriza klimatike, tha sekretari Blinken:
“Vendet tona anëtare duhet të modelojnë sjelljen që presim nga të tjerët. Kjo nënkupton miratimin e kontributeve ambicioze, të përcaktuara në nivel kombëtar për të reduktuar emetimet dhe për të investuar në përshtatjen klimatike, për të ecur me shpejtësi për të ndaluar emetimet e pandërprera të qymyrit, për t'i dhënë fund investimeve në qymyr brenda dhe jashtë vendit dhe heqjen graduale të subvencioneve të karburanteve fosile“.
Sfida e tretë ka të bëjë me pabarazinë. Komunitetet e pakicave kanë pësuar një përqindje shumë më të lartë të vdekjeve nga COVID-19, si dhe dëme më të mëdha nga ndikimet e përshpejtuara të ndryshimeve klimatike.
Një mënyrë për ta arritur këtë është përmes një norme tatimore minimale globale të korporatave. "Kjo do të na lejojë të shmangim një garë vetë-shkatërruese, në të cilën të gjitha vendet tona kanë ulur normat e taksave të korporatave, vetëm për të parë të tjerët të ulin normat e tyre si përgjigje," tha sekretari Blinken.
Së fundi, vendet e OECD-së duhet të vendosin një seri rregullash të reja për teknologjitë në zhvillim, tha Sekretari Blinken:
“Ne duhet të sigurojmë që përparimet në teknologji të përdoren për të ndihmuar njerëzit dhe për të avancuar liritë njerëzore – jo për të nxitur mospajtimet dhe për të rrënjosur më tej pabarazitë ose për të synuar komunitetet pakicë. Së bashku, ne mund të ndihmojmë që vlerat dhe interesat tona të çojnë në formimin e rregullave të reja dixhitale”.
Puna e OECD-së nuk ka qenë kurrë kaq e rëndësishme, deklaroi sekretari Blinken. “Ne duhet të dëshmojmë se qasja jonë mund ta bëjë jetën më të mirë për njerëzit – në vendet tona dhe në të gjitha vendet e tjera. Dhe në një mënyrë që është më e drejtë se sa ka qenë në të kaluarën”.
“Nëse vazhdojmë të punojmë së bashku për të gjetur politika më të mira – duke qëndruar të rrënjosur në vlerat e përbashkëta që na kanë udhëhequr për 60 vitet e fundit”, tha sekretari Blinken, “nuk ka kufi për atë që mund të arrijmë”.