Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, së fundmi uroi fituesit e këtij viti të çmimeve Kurt Schork në Gazetari Ndërkombëtare. Çmimet nderojnë gazetarë të guximshëm dhe shpesh të panjohur për raportimet e tyre mbi konfliktin, korrupsionin dhe padrejtësinë.
Fituesit e këtij viti përfshijnë gazetarin iraniano-amerikan Jason Motlagh, gazetarin brazilian Rafael Soares dhe Khabat Abbas nga Siria.
Tani në vitin e tyre të 20-të, Çmimet Kurt Schork në Gazetari Ndërkombëtare jepen për nder të gazetarit amerikan të pavarur Kurt Schork, i cili u vra në Sierra Leone ndërsa punonte për agjencinë Reuters në vitin 2000.
Duke njohur rëndësinë e shtypit të lirë, USAID-i ndihmon në mbështetjen e gazetarëve në mbi 30 vende me mbrojtje dhe ndihmë ligjore për ata që janë nën kërcënim. "Programet tona," tha administratorja Samantha Power, "ndihmojnë në nxitjen e gazetarisë së pavarur, të bazuar në fakte, detyrë që ne e dimë se është themelore për një shoqëri të shëndetshme dhe ekonomi të begata".
Gazetarët shpesh vihen në rrezik të madh për të thënë të vërtetën dhe për të informuar publikun, tha administratorja Power:
“Kjo është sigurisht e vërtetë për gazetarët që ne po nderojmë, të cilët kanë raportuar për luftën në Afganistan, vrasjet në Brazil, mizoritë e rënda në Siri, punën e fëmijëve në Pakistan dhe sistemin e drejtësisë penale në Nigeri. Puna e tyre ka hedhur dritë mbi realitetet e luftës dhe konfliktit dhe ka ekspozuar abuzimet e të drejtave të njeriut, diskriminimin dhe korrupsionin. Angazhimi i tyre për të thënë të vërtetën vjen në një moment kritik për gazetarinë".
“Sulmet ndaj gazetarëve – sulme fizike, ligjore, politike dhe sulmet ndaj lirive të shtypit në përgjithësi – kanë qenë në rritje”, tha administratorja Power. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah gazetarëve të guximshëm, organizatave të pavarura të medias, dhe profesionistëve të pavarur në mbarë botën që vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme pavarësisht këtyre kërcënimeve.