Accessibility links

Breaking News

Një fitore kundër krimit kibernetik


VOA cyber crime graphics
VOA cyber crime graphics

Sigurimi i një Interneti të hapur, ndërveprues, të sigurt dhe të besueshëm mbetet një prioritet thelbësor për administratën Biden-Harris. Shtetet e Bashkuara kanë organizuar një përpjekje kombëtare dhe ndërkombëtare për të mbrojtur popullin amerikan, infrastrukturën kritike dhe aleatët nga aktivitetet keqdashëse kibernetike. Këto përpjekje kanë filluar të japin rezultate. Departamenti i Drejtësisë njoftoi kohët e fundit ngritjen e akuzave kundër dy shtetasve të huaj për programin Sodinokibi/REvil që kishte si synim për të bërë të paafta dhe për të zhvatur bizneset dhe entitetet qeveritare në Shtetet e Bashkuara.

Yaroslav Vasinskyi, një shtetas ukrainas, u akuzua për vendosjen e programit të hakerimit kundër viktimave të shumta, duke përfshirë incidentin e korrikut të vitit 2021 që kishte si objektiv mijëra klientë të Kaseya-s, një kompani shumëkombëshe e programimit të teknologjisë së informacionit.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi gjithashtu sekuestrimin e fondeve prej 6.1 milionë dollarësh që mund të gjurmohen nga pagesat e pretenduara të shpërblimit të marra nga Yevgeniy Polyanin, një shtetas rus, i cili gjithashtu është akuzuar për vendosjen e programit Sodinokibi/REvil kundër viktimave të shumta, duke përfshirë bizneset dhe entitetet qeveritare në Teksas në gusht të vitit 2019.

Sipas aktakuzave, Vasinskyi dhe Polyanin depërtuan në rrjetet e brendshme kompjuterike të disa kompanive viktima dhe vendosën programin Sodinokibi/REvil për të vjedhur të dhënat në kompjuterët e kompanive viktima.

“Krimi kibernetik është një kërcënim serioz për vendin tonë: për sigurinë tonë personale, për ekonominë tonë dhe për sigurinë tonë kombëtare”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland. “Mesazhi ynë. . .është i qartë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë, do të bëjnë gjithçka në fuqinë tonë për të identifikuar autorët e sulmeve të hakerimit, për t'i sjellë ata para drejtësisë dhe për të rikuperuar fondet që ata kanë vjedhur nga viktimat e tyre".

Presidenti Biden i tha presidentit rus Vladimir Putin se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin "çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur popullin dhe infrastrukturën e saj kritike përballë kësaj sfide të vazhdueshme".

“Kjo është ajo që kemi bërë. Ne po sjellim fuqinë e plotë të qeverisë federale për të ndërprerë aktivitetin dhe aktorët keqdashës kibernetikë, për të forcuar qëndrueshmërinë në vend, për të adresuar abuzimin e monedhës virtuale për të bërë pagesat e shpërblyese dhe për të shfrytëzuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të prishur ekosistemin e programeve të hakerimit dhe për t’u siguruar që kriminelët të mos kenë vende të sigurta strehimi”.

Presidenti Biden theksoi se do të vazhdojë të përdorë çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur popullin amerikan dhe interesat amerikane kundër kërcënimeve kibernetike.

XS
SM
MD
LG