Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në angazhimin e tyre për lirinë e fesë apo besimit. “Në shumë vende në mbarë botën, ne vazhdojmë të shohim qeveritë të kërcënojnë, arrestojnë, burgosin dhe vrasin individë thjesht sepse kërkojnë të jetojnë jetën e tyre në përputhje me bindjet e tyre”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Administrata Biden-Harris është e përkushtuar të mbështesë të drejtën e çdo individi për lirinë e fesë apo besimit, përfshi përballjen dhe luftimin e shkeljeve dhe abuzimeve të kësaj të drejte njerëzore.
Çdo vit Sekretari i Shtetit ka përgjegjësinë të identifikojë qeveritë dhe aktorët joshtetërorë, të cilët, për shkak të shkeljeve të lirisë së tyre fetare, meritojnë të përcaktohen sipas Aktit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare. Këtë vit, Sekretari Blinken njoftoi se ka përcaktuar Birmaninë, Republikën Popullore të Kinës, Eritrenë, Iranin, Korenë e Veriut, Pakistanin, Rusinë, Arabinë Saudite, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin si vende me shqetësim të veçantë për përfshirje apo tolerim "të vazhdueshëm dhe sistematik" të shkeljeve skandaloze të lirisë fetare.”
Për Pakistanin, Arabinë Saudite, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin, Sekretari lejoi një përjashtim që mund të bëhet përmes një Akti Presidencial, duke përcaktuar se "interesi i rëndësishëm kombëtar i Shteteve të Bashkuara kërkon ushtrimin e një autoriteti të tillë", siç autorizohet nga Ligji për Lirinë Fetare Ndërkombëtare.
Sekretari Blinken gjithashtu vendosi Algjerinë, Komoret, Kubën dhe Nikaraguan në një listë të posaçme vëzhgimi si qeveri që janë përfshirë ose tolerojnë "shkelje të rënda të lirisë fetare". Së fundi, ai caktoi al-Shababin, Boko Haramin, Hayat Tahrir al-Shamin, Ansarallah (që ndonjëherë referohet si Houthi), ISIS-in, ISIS-Sahara e Madhe, ISIS-Afrika Perëndimore, Jamaat Nasr al-Islam wal-Muslimin, dhe talebanët si entitete me shqetësim të veçantë.
"Sfidat ndaj lirisë fetare në botë sot janë strukturore, sistematike dhe të rrënjosura thellë," paralajmëroi sekretari Blinken. “Ato ekzistojnë në çdo vend. Ato kërkojnë angazhim të qëndrueshëm global nga të gjithë ata që nuk janë të gatshëm të pranojnë urrejtjen, intolerancën dhe persekutimin si status quo. Ato kërkojnë vëmendjen urgjente të komunitetit ndërkombëtar.”
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'u bëjnë presion të gjitha qeverive që të mbajnë përgjegjës shkelësit. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe anëtarët e komuniteteve fetare për të avancuar lirinë fetare në mbarë botën dhe për të trajtuar gjendjen e rëndë të individëve dhe komuniteteve që përballen me abuzim, kërcënim dhe diskriminim për shkak të asaj që ata besojnë ose nuk besojnë.