Accessibility links

Breaking News

Shtetet e Bashkuara nxjerrin Strategjinë e Parë Kundër Korrupsionit


Në fillim të dhjetorit, administrata Biden-Harris publikoi Strategjinë e parë të SHBA-së Kundër Korrupsionit. Duke vepruar në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara riafirmuan se lufta ndaj kësaj plage globale është një prioritet kyç i politikës së brendshme dhe të jashtme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në Ekuador në tetor, Sekretari i Shtetit Antony Blinken numëroi disa nga arsyet pse korrupsioni është një forcë kaq shkatërruese. “Korrupsioni vlerësohet të kushtojë deri në 5 për qind të PBB-së globale. Ai frenon rritjen, dekurajon investimet, thellon pabarazitë,” tha ai. "Por ndoshta dëmi më i madh i tij është rënia e besimit të qytetarëve tek qeveria".

“Në fakt, nëse shikoni shumicën dërrmuese të kryengritjeve civile në mbarë botën në vitet e fundit – Maidani në Ukrainë, Sheshi Tahrir në Egjipt; nga Rumania në Tunizi, nga Sudani në Guatemalë – do të gjeni në thelb një neveri totale ndaj korrupsionit”.

“Ai prek njerëzit në çdo aspekt të jetës së tyre të përditshme, dhe largon burimet nga shteti që mund të shpenzohen dhe dedikohen për një shkollë, për një spital, në diçka që në fakt përmirëson jetën e njerëzve”.

Në nivel kombëtar, Strategjia e re Kundër Korrupsionit trajton dobësitë në sistemin financiar amerikan që aktorët e korruptuar mund t'i shfrytëzojnë. Në nivel global, Strategjia parashtron se si Shtetet e Bashkuara po integrojnë masat kundër korrupsionit me ndihmën e jashtme të SHBA-së, diplomacinë shumëpalëshe, partneritetet e sigurisë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Strategjia Kundër Korrupsionit bazohet në 5 shtylla. Si fillim, Shtetet e Bashkuara do të modernizojnë dhe përmirësojnë koordinimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin. Ai gjithashtu do t'i vendosë më shumë burime ndaj kësaj çështjeje.

Së dyti, strategjia do të adresojë mangësitë në sistemin rregullator të SHBA-së dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të bërë të njëjtën gjë.

Së treti, Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të minimizuar financimin e paligjshëm dhe për të mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar.

Së katërti, do të punojë për të ruajtur dhe forcuar strukturën shumëpalëshe kundër korrupsionit.

Dhe së fundi, Strategjia e re Kundër Korrupsionit kërkon të përdorë angazhimin diplomatik me partnerët e huaj për t'i dhënë përparësi përpjekjeve kundër korrupsionit. Kjo përfshin përdorimin e ndihmës së huaj për të çuar përpara transparencën, llogaridhënien dhe reformat kundër korrupsionit.

“Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, barazinë ekonomike, përpjekjet globale kundër varfërisë dhe zhvillimit dhe vetë demokracinë”, tha Presidenti Biden. “Por, duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar avantazhet e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera”.

XS
SM
MD
LG