Accessibility links

Breaking News

Përcaktimi i sfidës së kohës sonë

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Demokracia është nën kërcënimin e autokratëve që kërkojnë të zgjerojnë pushtetin e tyre duke pretenduar në mënyrë të rreme se politikat e tyre represive janë një "mënyrë më efikase" për të adresuar sfidat e sotme.

Samiti virtual për Demokraci, i mbajtur në dhjetor 2021, mblodhi mbi 275 përfaqësues nga qeveritë, shoqëria civile dhe sektori privat, të cilët ndanë njohuri mbi mënyrën se si demokracitë sjellin sukses. Në seancën hapëse, presidenti Joe Biden tha se "pakënaqësia në rritje e njerëzve në mbarë botën me qeveritë demokratike që ata mendojnë se nuk po arrijnë t'i përmbushin nevojat e tyre", është "sfida përcaktuese e kohës sonë".

Demokracia, tha ai, është nën kërcënim nga kjo pakënaqësi, si dhe nga presioni i autokratëve që kërkojnë të zgjerojnë pushtetin e tyre duke pretenduar në mënyrë të gabuar se politikat e tyre represive janë një "mënyrë më efikase" për t’u ndeshur me sfidat e sotme.

“Demokracia – qeverisja e popullit, nga populli, për popullin – ndonjëherë mund të jetë e brishtë, por gjithashtu është në thelb elastike”, tha Presidenti Biden. "Është e aftë për vetë-korrigjim dhe është e aftë për vetë-përmirësim."

Është gjithashtu, tha Presidenti Biden, “mënyra më e mirë për të çliruar potencialin njerëzor dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të zgjidhur problemet e mëdha. Dhe na takon ne ta vërtetojmë këtë. . . Ne duhet të qëndrojmë për drejtësinë dhe sundimin e ligjit, për fjalën e lirë, tubimin e lirë, një shtyp të lirë, lirinë e fesë dhe për të gjitha të drejtat e natyrshme njerëzore të çdo individi.”

Presidenti Biden theksoi se demokracia kërkon veprim. Shtetet e Bashkuara, u zotua ai, "do të udhëheqin me shembull, duke investuar në demokracinë tonë, duke mbështetur partnerët tanë në të gjithë botën në të njëjtën kohë".

Presidenti Biden vuri në dukje nismat e tij të brendshme për të provuar se "demokracia amerikane mund të bëjë ende gjëra të mëdha dhe të përballet me sfidat që kanë më shumë rëndësi", duke përfshirë ligjet që zbusin pasojat e COVID-19; investime në infrastrukturë dhe krijimin e vendeve të punës; avancimin e drejtësisë racore, barazisë dhe barazisë gjinore; dhe duke këmbëngulur në të drejtën e çdo amerikani për të votuar në zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta.

Ai njoftoi gjithashtu Nismën Presidenciale për Rinovimin Demokratik, e cila do të fokusojë përpjekjet në të gjithë diplomacinë amerikane dhe programet e ndihmës së huaj për të forcuar qëndrueshmërinë demokratike dhe të drejtat e njeriut në nivel global.

Duke punuar me Kongresin, administrata po planifikon të angazhojë deri në 424 milionë dollarë në vitin 2022 për të mbështetur lirinë e medias, për të luftuar korrupsionin, për të promovuar teknologjinë që avancon demokracinë, për të forcuar reformatorët demokratikë si dhe për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Presidenti Biden sfidoi demokracitë e botës që “të kenë vizionin për të udhëhequr edhe një herë marshimin e përparimit njerëzor dhe lirisë njerëzore. . . "Unë besoj," tha ai se, "ne mund ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë, nëse kemi besim tek vetja, demokracitë tona dhe tek njëri-tjetri".

XS
SM
MD
LG