“Administrata Biden nuk do të dërgojë asnjë përfaqësi diplomatike apo zyrtare në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Paraolimpike të Pekinit 2022, duke pasur parasysh gjenocidin e vazhdueshëm në Republikën Popullore të Kinës dhe krimet kundër njerëzimit në Xinjiang dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut”, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Megjithatë, atletët amerikanë do të marrin pjesë në lojërat dimërore, tha zonja Psaki. “Ekipi amerikan do të ketë mbështetjen tonë të plotë”.
Ajo shpjegoi se “Përfaqësimi diplomatik ose zyrtar do t'i trajtonte këto Lojëra Olimpike Paraolimpike si biznes të zakonshëm përballë abuzimeve skandaloze të të drejtave të njeriut dhe mizorive të Republikës Popullore të Kinës në Xinjiang. Dhe ne thjesht nuk mund ta bëjmë këtë”.
Rajoni i Xinjiangut është strehë e rreth 14 milionë ujgurëve, të cilët janë kryesisht myslimanë, dhe pakicave të tjera etnike dhe fetare që flasin gjuhët turke. Raporti më i fundit i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thekson se gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit po vazhdojnë kundër ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang. Këto krime përfshijnë burgosjet arbitrare ose privime të tjetra të rëndë të lirisë fizike të më shumë se një milion civilëve; sterilizimin e detyruar, abortet e detyruara dhe zbatimin më kufizues të politikave të kontrollit të lindjes në Kinë; përdhunimin; torturat; punët e detyruara; dhe vendosja e kufizimeve drakoniane për lirinë e fesë ose besimit dhe lirinë e lëvizjes.
Më shumë se një milion ujgurë dhe anëtarë të tjerë të grupeve të pakicës kryesisht myslimane janë në kampe internimi dhe dy milionë të tjerë i nënshtrohen të ashtuquajturit trajnim "riedukimi".
Presidenti Joe Biden i ka bërë të qartë presidentit kinez Xi Jinping se Shtetet e Bashkuara kanë një angazhim themelor për të avancuar të drejtat e njeriut në Kinë dhe më gjerë. “Mos dërgimi i një delegacioni diplomatik në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Pekinit dërgon këtë mesazh”, deklaroi Sekretarja e Shtypit, Psaki.