Accessibility links

Breaking News

Vazhdojnë përpjekjet pët të ulur tensionet në kufi të Ukrainës


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Pas një jave diplomacie intensive në një sërë forumesh ndërkombëtare lidhur me dislokimin e vazhdueshëm dhe të paprovokuar ushtarak të Rusisë pranë Ukrainës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po vazhdon përpjekjet diplomatike për të zbutur krizën. Më 19 janar, ai u takua me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe Ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba në Kiev. Ai u takua me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Gjenevë më 21 janar.

Duke folur në ambasadën amerikane në Kiev para konsultimeve të tij me zyrtarët ukrainas, sekretari Blinken paralajmëroi se nëse Rusia pushton territore të tjera të Ukrainës, parimet bazë që mbështesin sistemin ndërkombëtar dhe që janë kyçe për ruajtjen e paqes do të sfidohen: se një vend nuk mund të ndryshojë kufijtë e një tjetri me forcë; se një vend nuk mund t'i diktojë tjetrit zgjedhjet e tij; dhe se vendet nuk mund të krijojnë sfera ndikimi në përpjekje për të nënshtruar fqinjët e tyre.

“Nëse lejojmë që këto parime të shkelen pa u ndëshkuar, atëherë do të hapim një kuti shumë të madhe të Pandorës dhe gjithë bota po shikon”, tha sekretari Blinken.

Pas takimit me udhëheqësit më të lartë të Ukrainës, sekretari Blinken mbajti një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas Kuleba. Ai përsëriti "angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës". Kjo është arsyeja pse, tha ai, "ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të pandërprera diplomatike për të parandaluar agresionin e ri dhe për të promovuar dialogun dhe paqen".

Në të njëjtën kohë, Sekretari Blinken vuri në dukje se: "Ne vazhdojmë të forcojmë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten dhe për të bërë të qartë kostot që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do t'i imponojnë Moskës nëse ajo refuzon rrugën diplomatike. . . dhe vazhdon me një pushtim ose destabilizim të pajustifikuar, të paprovokuar, të papranueshëm për Ukrainën.”

Sekretari Blinken theksoi se “forca e diplomacisë sonë, frenimi ynë dhe çdo përgjigje ndaj agresionit të Moskës kërkon unitet – mes aleatëve dhe partnerëve tanë, si dhe nga brenda Ukrainës. . . Ukrainasit duhet të qëndrojnë së bashku, veçanërisht në këtë kohë.”

Ai vuri në dukje se një nga qëllimet e hershme të Rusisë "ka qenë të përpiqet të mbjellë ndarje brenda Ukrainës, për ta bërë më të vështirë për ukrainasit që të punojnë së bashku për të realizuar ambiciet e tyre euro-demokratike. . . Mos lejoni që Moska t'ju ndajë, "tha ai.

“Ndërsa ju përballeni me përpjekjet për t’ju përçarë, për t’ju frikësuar, për t’ju kërcënuar”, deklaroi Sekretari Blinken, “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush me vendosmëri në të drejtën tuaj për të marrë vendime për të ardhmen tuaj, për ta formatuar atë të ardhme si ukrainas për Ukrainën”.

XS
SM
MD
LG