Accessibility links

Breaking News

SHBA në veprim për të ndaluar destabilizimin e Ukrainës nga Rusia


A Ukrainian border guard patrols the border with Russia not far from Hoptivka village, Kharkiv region, Ukraine, Feb. 2, 2022.
A Ukrainian border guard patrols the border with Russia not far from Hoptivka village, Kharkiv region, Ukraine, Feb. 2, 2022.

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Komuniteti ndërkombëtar është me të drejtë i alarmuar nga grumbullimi i madh dhe i paprovokuar i forcave ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën. Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre janë zotuar, se do të ketë pasoja serioze nëse Rusia refuzon diplomacinë dhe hyn përsëri në Ukrainë me forcë ushtarake.

Siç ka vënë në dukje Sekretari i Shtetit Antony Blinken, megjithatë, ka lëvizje të tjera të rrezikshme, joushtarake që Rusia tashmë po planifikon ose po ndërmerr kundër Ukrainës. Njëri plan është një operacion ku Rusia krijon një provokim brenda Ukrainës dhe më pas e përdor atë si justifikim për të ndërmarrë veprime agresive të para-planifikuara.

Ka gjithashtu aktivitete të vazhdueshme influence, të drejtuara nga shërbimet e inteligjencës ruse, përkatësisht FSB-së, të hartuara për të destabilizuar Ukrainën. Për të ekspozuar dhe ndërprerë këto aktivitete, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj katër individëve të përfshirë në to.

Dy janë anëtarët aktualë të Parlamentit ukrainas, Taras Kozak dhe Oleh Voloshyn. Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë se Taras Kozak kontrollon disa kanale lajmesh në Ukrainë dhe "ka mbështetur planin e FSB-së për të denigruar anëtarët e lartë të rrethit të brendshëm të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke i akuzuar ata në mënyrë të rreme për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19". Platformat e tij gjithashtu përforcuan histori të rreme rreth zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA.

Oleh Voloshyn ka punuar me aktorë rusë për të minuar zyrtarët e qeverisë ukrainase dhe për të mbrojtur interesat e Rusisë. Ai ka punuar gjithashtu me Konstantin Kilimnik, një shtetas rus me lidhje me inteligjencën ruse, i cili u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 me urdhër të Rusisë.

Dy personat e tjerë janë ish-deputetët e parlamentit ukrainas Volodymr Oliynyk dhe Valdimir Sivkovich. Volodymr Oliynyk punoi sipas urdhërave të FSB-së për të mbledhur informacione rreth infrastrukturës kritike të Ukrainës. Departamenti i Thesarit vuri në dukje: "Operacionet e përsëritura kibernetike kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës janë pjesë e taktikave hibride të Rusisë...të projektuara për të tërhequr Ukrainën në orbitën e Rusisë". Valdimir Sivkovich "punoi me një rrjet aktorësh të inteligjencës ruse për të kryer operacione influencimi", duke përfshirë përpjekjet për të detyruar Kievin t'i dorëzonte Krimenë Rusisë.

Sekretari i Shtetit Blinken vuri në dukje se përcaktimet e këtyre katër individëve janë të ndara dhe të dallueshme nga masat e rënda financiare dhe ekonomike që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj janë të përgatitura t'i imponojnë Rusisë nëse ajo do të pushtonte më tej Ukrainën. Megjithatë, ai shkroi, "Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa, duke përfshirë veprime si ky...për të identifikuar, ekspozuar dhe ndërprerë përpjekjet destabilizuese të Rusisë në Ukrainë".

XS
SM
MD
LG