Accessibility links

Breaking News

Mbështetje financiare ndërkombëtare për Ukrainën


U.S. Secretary of State Antony Blinken and Ukraine's Foreign Minister Dmytro Kuleba hold a news conference, in Washington
U.S. Secretary of State Antony Blinken and Ukraine's Foreign Minister Dmytro Kuleba hold a news conference, in Washington

Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan angazhimin e tyre financiar ndaj popullit ukrainas. Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi një garanci të huasë për Ukrainën deri në 1 miliard dollarë për të mbështetur axhendën e saj të reformës ekonomike dhe angazhimin e vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Kjo ofertë – e kombinuar me partneritetin midis Ukrainës, FMN-së, institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, G7 dhe donatorëve të tjerë dypalësh – do të forcojë stabilitetin ekonomik, rritjen dhe prosperitetin e Ukrainës përballë agresionit të Rusisë”, tha sekretari Blinken në një deklaratë.

Mes viteve 2014 dhe 2016, Shtetet e Bashkuara i dhanë Ukrainës tre garanci të veçanta huaje prej 1 miliard dollarësh – të cilat sigurojnë që huadhënësit do të paguhen – pasi Rusia filloi pushtimin e Gadishullit të Krimesë. “Këto garanci kredie luajtën një rol kritik për të ndihmuar Ukrainën të stabilizonte me sukses ekonominë e saj në mes të agresionit të mëparshëm rus dhe të zbatonte një axhendë të guximshme reformash ekonomike të mbështetur nga bashkëpunimi ambicioz me FMN-në”, tha sekretari Blinken.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 2 miliardë dollarë ndihmë zhvillimi për Ukrainën që nga viti 2014. Qeveria amerikane ka punuar gjithashtu për të promovuar pjesëmarrjen e kompanive amerikane në ekonominë ukrainase.

Banka amerikane e Eksportit-Importit synon të vërë në dispozicion deri në 3 miliardë dollarë për të lehtësuar prokurimin e mallrave dhe shërbimeve amerikane për projekte në Ukrainë, ndërkohë që Korporata Financiare Amerikane e Zhvillimit Ndërkombëtar ka një portofol aktual investimesh në Ukrainë prej rreth 800 milionë dollarësh për më shumë se 12 projekte.

Shtetet e Bashkuara, tha sekretari Blinken, "do të vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj", kundër rrezikut të qartë dhe aktual të një pushtimi rus.

XS
SM
MD
LG