Accessibility links

Breaking News

Përpjekjet e Kremlinit për t'ia fshehur të vërtetën qytetarëve rusë


Makineria e propagandës së qeverisë ruse po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për t'ia ndaluar shtetasve të saj, popullit rus, që të mësojnë natyrën dhe shtrirjen e sulmit të pakuptimtë dhe të paprovokuar të Vladimir Putinit ndaj Ukrainës. Në ditët dhe javët përpara sulmit, mediat shtetërore ruse, platformat e mediave sociale dhe mediat në mbarë vendin u mbushën me dezinformim revoltues, duke shpërndarë pretendime të papërmbajtura që synonin të bindnin popullin rus se forcat e armatosura ruse duhet të sulmojnë Ukrainën për ta "çmilitarizuar dhe denazifikuar", të dyja këto gënjeshtra të paturpshme.

Që nga fillimi i sulmit më 24 shkurt, qeveria ruse i ka përqëndruar përpjekjet e saj për t'ua ndaluar qytetarëve rusë të mësojnë se çfarë po ndodh vërtet në Ukrainë, duke e shpallur edhe të paligjshëm përdorimin e fjalës "luftë" në këtë kontekst.

"Kremlini është angazhuar në një sulm të plotë ndaj lirisë së mediave dhe të vërtetës, dhe përpjekjet e Moskës për të mashtruar dhe për të fshehur të vërtetën e sulmit brutal janë intensifikuar", u shpreh në një deklaratë me shkrim Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Më 1 mars, Prokurori i Përgjithsëm i Rusisë urdhëroi agjensinë RosKomNadzor, e cila është agjensia qeveritare për çensurën ndaj mediave dhe komunikimeve, që të kufizojë qasjen tek mediat e pavarura dhe të respektuara Ekho Moskvy Radio dhe TV Dozhd, duke ua bllokuar faqet e tyre në internet dhe hapësirat për të transmetuar. Këshilli Federal i Rusisë ka miratuar që atëherë një ligj që parashikon dënime me burg deri në 15 vjet për përhapjen e informacionit "fals" për operacionet ushtarake ruse.

"Qeveria e Rusisë po asfikson gjithashtu platformat Twitter, Facebook dhe Instagram, tek të cilat mbështeten miliona qytetarë të Rusisë për të patur qasje tek informacioni dhe opinionet e pavarura, si dhe për t'u lidhur me njëri-tjetrin dhe me botën e jashtme", tha Zëdhënësi Price. Kjo është një tjetër mënyrë se si qeveria "kufizon se ku dhe si munden qytetarët rusë të shikojnë dhe të shpërndajnë evidencën e së vërtetës për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës".

"Populli i Rusisë nuk e zgjodhi këtë luftë. Putini e bëri këtë. Ata kanë të drejtën të dinë për vdekjen, vuajtjen dhe shkatërrimin që po i shkakton qeveria e tyre popullit të Ukrainës", tha Zëdhënësi Price.

"Populli i Rusisë ka gjithashtu të drejtën të dijë për kostot njerëzore të kësaj lufte të pakuptimtë për vetë ushtarët e tyre. I bëjmë thirrje Putinit dhe qeverisë së tij të respektojnë detyrimet dhe angazhimet ndërkombëtare të Rusisë, të ndalin menjëherë këtë gjakderdhje, të tërheqin trupat nga territori i Ukrainës dhe të respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të vetë shtetasve të tyre".

XS
SM
MD
LG