Accessibility links

Breaking News

Rusia shënjestron qëllimisht civilët ukrainas


Ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës vazhdon, po bëhet gjithnjë e më e qartë se Vladimir Putin po synon të shënjestrojë civilët ukrainas, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Predhat ruse po godasin shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit. Ata po shkatërrojnë infrastrukturën kritike, e cila u siguron miliona njerëzve në të gjithë Ukrainën ujë të pijshëm, gaz natyror për t'i mbajtur ata gjallë dhe energji elektrike. Autobusë civilë, makina, madje edhe autoambulanca janë goditur. Rusia po e bën këtë çdo ditë – në të gjithë Ukrainën”.

“Këto nuk janë objektiva ushtarake; ato janë vende ku punojnë civilët dhe jetojnë familjet”, tha sekretari Blinken. “Sulmet e Rusisë kanë vrarë të paktën njëqind civilë, përfshirë fëmijë, dhe kanë plagosur qindra të tjerë. Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet tha se pret që shifrat reale të jenë shumë më të larta”.

I pyetur nëse ai besonte se Rusia po vë në shënjestër qëllimisht civilët, sekretari Blinken tha se ai me të vërtetë e beson këtë.

“Ne kemi parë sigurisht në të kaluarën se një nga metodat e luftës së Rusisë është të jetë absolutisht brutale në përpjekjen për të nënshtruar qytetarët e një vendi të caktuar, dhe kjo përfshin shënjestrimin pa dallim dhe potencialisht të qëllimshëm të civilëve”.

Duke folur në sesionin e 49-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut më 1 mars, Sekretari Blinken tha se komuniteti i kombeve "duhet të dërgojë një mesazh të vendosur dhe të bashkuar se Presidenti Putin duhet të ndalë pa kushte këtë sulm të paprovokuar, ... dhe të tërheqë menjëherë forcat ruse nga Ukraina".

“Ne duhet të dënojmë, me vendosmëri dhe pa mëdyshje, përpjekjen e Rusisë për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe abuzimet e saj të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar. Dhe ne duhet të marrim hapa për t'i mbajtur autorët përgjegjës”.

“Ne duhet të theksojmë detyrimin e Rusisë, edhe në pushtimin e saj të paligjshëm, për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ne duhet të refuzojmë përpjekjet e Rusisë për të justifikuar në mënyrë të rreme këtë sulm si mbrojtje të të drejtave të njeriut”.

“Më në fund, ne duhet t'i bëjmë presion Kremlinit që të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë rusëve – duke përfshirë të drejtën e qytetarëve për të shprehur në mënyrë paqësore mospajtimin dhe gazetarët për të raportuar lajmet – dhe për t'u ofruar informacion familjeve të ushtarëve rusë, të cilët meritojnë të dinë fatin e të dashurëve të vrarë në luftën e zgjedhur të Presidentit Putin”, tha sekretari Blinken.

“Ne po shikojmë nga afër se çfarë po ndodh në Ukrainë tani, duke përfshirë atë që po ndodh me civilët. Ne e kemi parasysh. Ne e dokumentojmë atë. Dhe duam të sigurojmë, ndër të tjera, që të ketë përgjegjësi për të.”

XS
SM
MD
LG