Siç demonstroi udhëtimi i fundit i Presidentit Joe Biden në Evropë, nëse një nga qëllimet e Vladimir Putin për luftën e tij të pajustifikuar në Ukrainë ishte të përçante NATO-n dhe aleatët perëndimorë, ai ka mbetur thellësisht i zhgënjyer.
“NATO-ja nuk ka qenë kurrë, kurrë më e bashkuar se sot”, tha Presidenti Biden pas takimit të aleancës në Bruksel për të trajtuar agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë. Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s përsëritën dënimin e tyre të sulmit rus në Ukrainë, i cili, siç thanë ata, kërcënon sigurinë globale dhe rendin ndërkombëtar. Udhëheqësit i bënë thirrje Kremlinit që të zbatojë menjëherë një armëpushim dhe të angazhohet në negociata serioze me Ukrainën. Ata theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Udhëheqësit e aleancës u zotuan të mbajnë presion të koordinuar ndërkombëtar mbi Rusinë dhe deklaruan angazhimin e tyre të hekurt ndaj nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. Ata vunë në dukje vendosjen e 40,000 trupave në krahun lindor të NATO-s, si dhe krijimin e katër grupeve shumëkombëshe shtesë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki për të përforcuar frontin lindor. “Ne po marrim të gjitha masat dhe veprimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat”, shkruan udhëheqësit e aleancës.
“Putini po përballet pikërisht me të kundërtën e asaj që ai synonte të arrinte si pasojë e hyrjes në Ukrainë”, tha Presidenti Biden.
I njëjti unitet dhe kohezion ishin të dukshëm kur Presidenti Biden u takua me udhëheqësit e vendeve të G7-ës dhe Këshillit Evropian. G7-a ra dakord të zbatojë plotësisht sanksionet e ashpra që janë vendosur ndaj Rusisë. Në një deklaratë të përbashkët, ata u zotuan "të zbatojnë masa shtesë sipas nevojës, duke vazhduar të veprojnë në unitet". Ata gjithashtu ranë dakord të rrisin ndihmën humanitare për Ukrainën dhe vendet fqinje.
Pasi folën me udhëheqësit e BE-së, Presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyden njoftuan një nismë të re për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet ruse dhe për të maksimizuar përdorimin e energjisë së rinovueshme.
Në Varshavë, Presidenti Biden përmendi pasojat që Putini nuk i kishte menduar kurrë kur sulmoi Ukrainën: “Demokracitë e botës janë rigjallëruar nga uniteti dhe vendosmëria e shpalosur në muajt e fundit që dikur na duheshin vite për t'i përmbushur… Ne duhet të angazhohemi tani që të jemi në këtë betejë për një kohë të gjatë. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar sot, nesër dhe për vitet e dekadat që do të vijnë.”