Accessibility links

Breaking News

Një tjetër dizident i njohur arrestohet në Rusi


Sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistit rus të shoqërisë civile, Vladimir Kara-Murza.

Mbështetës për një kohë të gjatë i demokracisë dhe kritik i pushtimit të pajustifikuar të Vladimir Putinit në Ukrainë, Kara-Murza u arrestua nga autoritetet në Moskë më 11 prill dhe u dënua me pesëmbëdhjetë ditë burg.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price vuri në dukje se Kara-Murza "ka përjetuar edhe më parë arrestime dhe madje edhe helmime gati fatale për asgjë më shumë se aktivitetet e tij paqësore në emër të të drejtave të njeriut dhe lirive civile të popullit rus".

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në mars, zoti Kara-Murza e quajti pushtimin e Ukrainës "një luftë të paprovokuar, të pajustifikuar, të paligjshme që shënjestron qëllimisht civilët". Ai theksoi se “Rusia dhe regjimi i Putinit nuk janë e njëjta gjë. Ka shumë njerëz në vendin tim që janë kundër këtyre krimeve po aq kategorikisht sa kundërshtohen nga njerëzit këtu në Amerikë”.

Vetëm disa orë para se të arrestohej në Moskë, zoti Kara-Murza dha një intervistë për kanalin CNN ku e quajti regjimin e Putinit "vrasës" dhe parashikoi se lufta në Ukrainë do të çonte në rënien e Putinit nga pushteti. Duke shprehur pikëpamjet e tij, zoti Kara-Muza kundërshtoi ligjet e reja ruse që kriminalizojnë përhapjen e asaj që regjimi e konsideron si informacion "të rremë", duke përfshirë quajtjen e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë një luftë ose një pushtim.

"Për dekadën e fundit, autoritetet ruse kanë përdorur një rrjet ligjesh të paqarta dhe pretekste të dobëta për të frikësuar dhe ngacmuar zërat e pavarur dhe kundërshtues," tha Hugh Williamson me organizatën Human Rights Watch. "Tani ata po imponojnë hapur një censurë të kombinuar me një narrativë të rreme që ata kërkojnë që të gjithë ta përsërisin."

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se regjimi i Putinit po bëhet “më AGRESIV përtej kufijve të tij dhe më represiv brenda kufijve të tij”. Ai vuri në dukje arrestimin vitin e kaluar të mijëra individëve që dolën paqësisht në rrugë në protestë për arrestimin dhe ndalimin e liderit të opozitës ruse, Aleksey Navalny. Ai gjithashtu vuri në dukje se përveç arrestimit të fundit të Vladimir Kara-Murza, këtë vit 15,000 rusë të tjerë janë arrestuar për protesta ndaj luftës brutale të qeverisë së tyre kundër Ukrainës.

"Këto janë veprimet e një qeverie...që është thelbësisht e pasigurt," tha zëdhënësi Price, "që nuk është e gatshme të lejojë njerëzit e saj të bëjnë atë që është e drejta e njerëzve kudo, të shprehin protestën e tyre, të marshojnë në mënyrë paqësore në mënyrë që të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre i lirë”.

XS
SM
MD
LG