Accessibility links

Breaking News

Përcaktimi i ish zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës për korruption


Nikolla Gruevski
Nikolla Gruevski

Në mes të prillit, Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ose OFAC, caktoi ndër të tjera dy ish-zyrtarë të nivelit të lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, një ish-prokuror të lartë dhe një parlamentar nga Bosnja dhe Hercegovina, si aktorë të korrupsionit dhe aktiviteteve që minojnë proceset demokratike ose institucionale.

Nikola Gruevski shërbeu si kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga gushti 2006 deri në janar 2016. Në vitin 2018, Gruevski u dënua me dy vjet burg për ndikim të paligjshëm të zyrtarëve të qeverisë për blerjen e një makine luksoze. Ai është gjithashtu i dyshuar në shumë raste të korrupsionit dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera që lidhen me kohën e tij si zyrtari më i lartë i zgjedhur i Maqedonisë së Veriut.

Në fund të vitit 2018, Gruevski iku në Hungari dhe atje kërkoi azil politik. Sipas Interpolit, Gruevski kërkohet me fletarrest ndërkombëtar. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paraqitur një kërkesë zyrtare për ekstradim.

Sasho Mijalkov ishte drejtor i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim të Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në 2015. Ai akuzohet për përfshirje në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që vinte në shënjestër rreth 20,000 njerëz për përfitime politike dhe ekonomike . Këto veprime nxitën një krizë politike dyvjeçare.

Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Gordana Tadiq ishte kryeprokurore në Prokurorinë e Shtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo përdori pozitën e saj zyrtare dhe ndikimin për të promovuar interesat e saj personale dhe familjare. Ajo manipuloi rastet gjyqësore për të mbrojtur klientët politikë nga ndjekja penale dhe anashkaloi një sistem të automatizuar të shpërndarjes së çështjeve, të krijuar për të parandaluar vendimet për caktimin e çështjeve bazuar në arsye personale ose politike.

Si rezultat i këtyre përcaktimeve, të gjitha pronat dhe interesat në pronat e këtyre individëve që i nënshtrohen juridiksionit të Shteteve të Bashkuara janë të bllokuara dhe amerikanëve në përgjithësi u ndalohet të angazhohen në çdo transaksion me ta.

“Njerëzit e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të arsyeshme në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është një prioritet kryesor i administratës Biden-Harris dhe Departamenti i Thesarit nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe destabilizues.

XS
SM
MD
LG