Accessibility links

Breaking News

Një aleancë e paprecedentë që kundërshton agresionin e Rusisë në Ukrainë


Blinken travels through Europe for Ukraine related diplomacy
Blinken travels through Europe for Ukraine related diplomacy

Përfaqësues të një koalicioni të paprecedentë vendesh u takuan kohët e fundit në Bruksel për të diskutuar përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të kundërshtuar agresionin e qeverisë ruse në Ukrainë.

“Për herë të parë ndonjëherë, ministrat e jashtëm nga vendet tona aleate të Indo-Paqësorit – Australia, Japonia, Zelanda e Re, Republika e Koresë – morën pjesë si grup në një takim ministror të NATO-s. Ministrat nga Gjeorgjia, Finlanda, Suedia dhe Ukraina gjithashtu morën pjesë, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë", tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Pjesëmarrja e të gjithë këtyre aleatëve dhe partnerëve nxjerr në pah koalicionin jashtëzakonisht të gjerë të vendeve nga e gjithë bota që janë të bashkuar në qëndrimin përkrah Ukrainës dhe kundër agresionit të qeverisë ruse – vende që pranojnë se Moska nuk po sulmon vetëm një vend, por të gjithë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

“Imazhet dhe rrëfimet e tmerrshme që vijnë nga Buça dhe pjesë të tjera të Ukrainës vetëm sa kanë forcuar vendosmërinë dhe unitetin tonë kolektiv”, tha sekretari Blinken.

“Nuk është vetëm Buça por ka shumë më tepër qytete që Rusia ka sulmuar dhe më shumë qytete që po sulmon ende, vende ku duhet të supozojmë se ushtarët rusë po kryejnë më shumë mizori”.

Aleatët dhe partnerët po ndërmarrin një sërë hapash "për të ndaluar këtë agresion, për të qëndruar përkrah me Ukrainën dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës".

Së pari, ne po rrisim sanksionet ndaj institucioneve financiare ruse dhe ndaj individëve të caktuar, duke përfshirë fëmijët e rritur të Vladimir Putinit.

Së dyti, ne po ndihmojmë Ukrainën të mbrohet duke i dhënë 800 milionë dollarë të tjera për sigurinë dhe armatimet. Ne gjithashtu vazhdojmë të ofrojmë ndihmë humanitare për popullin e Ukrainës dhe për ata që largohen nga lufta.

Ne po punojmë me partnerët tanë ukrainas për të ndihmuar në mbledhjen, ruajtjen dhe analizimin e provave të mizorive, dhe vënien e këtij informacioni në dispozicion të organeve përkatëse të hetimit.

Ne po kërkojmë mënyra të reja për të mbështetur sigurinë kolektive të aleatëve tanë të NATO-s dhe për të rritur mbështetjen për partnerët që janë të cenueshëm ndaj ndikimit armiqësor rus, si Bosnja dhe Hercegovina, dhe agresionit, në vende si Gjeorgjia.

Së fundi, ne po hartojmë një Koncept të ri Strategjik të NATO-s, i cili në mënyrë të përshtatshme do ta transformojë sigurinë transatlantike për të pasqyruar atë që tani është një peizazh që po ndryshon me shpejtësi.

“Zemërimi ndaj asaj që po bën qeveria ruse është i dukshëm”, tha sekretari Blinken. “Ka një vendosmëri më të madhe se kurrë për të qëndruar me Ukrainën, për të mbështetur dhe rigjallëruar rendin ndërkombëtar që Moska po përpiqet ta përmbysë, për të sjellë kosto edhe më të mëdha për qeverinë ruse, dhe për të siguruar që njerëzit të mbahen përgjegjës për krimet e tyre”.

XS
SM
MD
LG