Në një takim të fundit jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Berlin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ripohoi se aleanca mbetet "e përkushtuar për të mbështetur një Ukrainë demokratike, të pavarur dhe sovrane". Presidenti rus Vladimir Putin e nisi këtë luftë duke menduar se mund ta eliminonte Ukrainën si një vend të pavarur dhe të përçante NATO-n. "Në vend të kësaj," deklaroi Sekretari Blinken, "ai vetëm sa ka përforcuar sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës pasi Ukraina ka përzënë ushtrinë ruse nga Kievi".
"Çdo anëtar i aleancës dëshiron që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur," tha sekretari Blinken, "por ne jemi po aq të vendosur të vazhdojmë ndihmën tonë të sigurisë për Ukrainën, të vazhdojmë sanksionet tona, kontrollet e eksportit dhe presionin diplomatik për Rusinë për aq kohë sa është e nevojshme”.
"Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë janë të përqendruar t'i japin Ukrainës një mbështetje sa më të fortë në fushën e betejës dhe në çdo tryezë bisedimesh, në mënyrë që ajo të zmbrapsë agresionin rus dhe të mbrojë plotësisht pavarësinë dhe sovranitetin e saj".
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e tyre kanë "arritur një përgjigje të fuqishme transatlantike për "ndihmë ndaj më shumë se 6 milionë refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina, tha sekretari Blinken:
“Shtetet e Bashkuara kanë ofruar miliona dollarë ndihmë për vendet që pranojnë qytetarë ukrainas për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes dhe shërbimeve thelbësore. Vendet tona po bashkohen gjithashtu për të trajtuar disa nga pasojat më të gjera që po shkakton agresioni rus, si mungesat globale të ushqimit dhe rritja e çmimeve të ushqimeve që po shohim”.
“Ne e dimë se me mbështetjen e Ukrainës ne po mbrojmë gjithashtu parimet e sovranitetit dhe pavarësisë që janë themelore për paqen dhe sigurinë globale. Diplomatët amerikanë janë kthyer në Ukrainë pas disa javësh pune pranë Polonisë”, tha sekretari Blinken. “Ne po rihapim ambasadën tonë në Kiev. Dhe ne do të rifillojmë operacionet shumë shpejt”.
Sekretari Blinken ripohoi gjithashtu politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe të drejtën e të gjitha vendeve për të përcaktuar të ardhmen, politikat dhe rregullat e tyre të sigurisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht aplikimet zyrtare të Suedisë dhe Finlandës në aleancën e NATO-s.
Shtetet e Bashkuara presin me padurim samitin e qershorit të NATO-s në Madrid, kur aleanca do të publikojë Konceptin e saj të ri Strategjik, i cili do të përshkruajë mjedisin aktual të sigurisë dhe do të përshkruajë se si aleanca do të mbështesë dhe forcojë sigurinë transatlantike përballë agresionit të Presidentit Putin, si dhe kërcënimeve dhe sfidave të tjera gjatë dekadës së ardhshme.