Pasi trupat ruse u detyruan të tërhiqen nga Kievi dhe rrethinat e tij në muajt mars dhe prill, forcat ushtarake ruse janë rigrupuar dhe kanë ripërqendruar përpjekjet e tyre në jug dhe lindje të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Kremlini po fokuson planet e tij politike në të njëjtën zonë, u tha gazetarëve në Uashington ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter.
Ambasadori Carpenter tha: “Tani po shohim që strategjia e Rusisë po përshtatet për atë që planifikon të bëjë në jug dhe lindje të Ukrainës”. Ai vuri në dukje njoftimet për rrëmbimet e kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të tjerë lokalë, si dhe zhdukjet me forcë të drejtorëve të shkollave, gazetarëve dhe aktivistëve lokalë. Raportohen gjithashtu plane nga Kremlini për të imponuar një plan mësimor rus dhe për të detyruar popullsinë vendase të përdorë rublën. Forcat ruse thuhet se kanë ndërprerë internetin dhe disa qasje në telefonat celularë në jug dhe lindje për të pamundësuar rrjedhën e informacionit të besueshëm.
“Përveç kësaj,” tha ambasadori Carpenter, “ne besojmë se Kremlini mund të përpiqet të mbajë referendume të rreme për të tentuar të shtojë një shtresë legjitimiteti demokratik ose elektoral. . Ata organizuan këto referendume të rreme, siç e dini, në Krime, në Luhansk, në Donetsk dhe në vende të tjera.
Ashtu siç Kremlini krijoi këto të ashtuquajtura shtete, “Republika Popullore e Donetskut" dhe "Republika Popullore e Luhanskut", tha ambasadori Carpenter, Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia mund të përpiqet të organizojë një "Republikë Popullore Kherson" në Kherson.
“Komuniteti ndërkombëtar,” tha ai, “përfshirë OSBE-në, ku unë punoj si ambasador, ka qenë shumë i qartë se referendume të tilla, referendume të tilla të rreme, votime të fabrikuara, nuk do të konsiderohen legjitime dhe as ndonjë përpjekje për të aneksuar territor shtesë ukrainas. .”
OSBE-ja dhe forumet e tjera shumëpalëshe, deklaroi ambasadori Carpenter, do të vazhdojnë të ekspozojnë veprimet e Rusisë, ta izolojnë atë diplomatikisht, të punojnë për të marrë ndihmë humanitare për popullatat në nevojë anembanë Ukrainës dhe të bëjnë thirrje për "përfundimin e kësaj lufte monstruoze të pajustifikuar që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës”.