Accessibility links

Breaking News

Sekretari Blinken flet mbi politikën e Shteteve të Bashkuara me Kinën 


Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përqëndruara tek sfida më serioze afatgjatë ndaj rendit ndërkombëtar: Republika Popullore e Kinës, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Nën drejtimin e Presidentit Xi, Partia Komuniste Kineze në pushtet është bërë më despotike brenda vendit dhe më agresive jashtë tij.

Shtetet e Bashkuara nuk mund të presin që Kina të ndryshojë drejtimin e saj. Administrata Biden ka zhvilluar një strategji që mund të përmblidhet me tre fjalë – “investim, përshtatje, konkurrim”.

Administrata e Presidentit Biden po investon në një strategji industriale për të fuqizuar dhe zgjeruar influencën ekonomike dhe teknologjike të Shteteve të Bashkuara, duke e bërë ekonominë amerikane dhe zinxhirin e furnizimit më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.

Pjesa e dytë e strategjisë është rigjallërimi i aleancave të Amerikës dhe riangazhimi në institucionet ndërkombëtare.

“Një tjetër fushë bashkëpunimi që ndajmë me aleatët tanë dhe partnerët janë të drejtat e njeriut”, tha Sekretari Blinken.

“Shtetet e Bashkuara solidarizohen me vendet dhe njerëzit në mbarë botën përballë genocidit dhe krimeve ndaj njerëzimit që po ndodhin në rajonin Xinjian... Ne solidarizohemi me Tibetin, ku autoritetet vazhdojnë me një fushatë brutale ndaj tibetianëve dhe kulturës, gjuhës dhe traditave të tyre fetare, si dhe në Hong Kong, ku Partia Komuniste Kineze ka imponuar masa të ashpra anti-demokratike, me fasadën e sigurisë kombëtare”.

Kjo na sjell tek elementi i tretë i strategjisë sonë, për të dalë fitimtarë në konkurrimin me Kinën në fushat kryesore, tha Sekretari Biden.

“Pekini... po shfrytëzon ekonomitë tona të hapura, për spiunazh, për pirateri kibernetike, për të vjedhur teknologji dhe njohuri për të përmirësuar novacionin ushtarak dhe për të konsoliduar mbikqyrjen shtetërore. Pra, ndërsa sigurohemi që do të ngremë valën e re të novacionit nga Shtetet e Bashkuara, nga aleatët dhe partnerët, ne gjithashtu do të mbrohemi nga përpjekjet për të përfituar në mënyrë të pandershme nga origjinaliteti ynë, apo për të vendosur në rrezik sigurinë tonë”.

Në lidhje me Tajvanin, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i përmbahen politikës së “një Kine të vetme”, e cila bazohet tek Ligji për Marrëdhëniet me Tajvanin, tek tre Komunikatat e Përbashkëta, dhe tek Gjashtë Dokumentat garantues. Ne kundërshtojmë çdo ndryshim unilateral nga secila nga palët; ne nuk mbështesim pavarësinë e Tajvanit; dhe ne dëshirojmë që mosmarrëveshjet për ngushticën detare të zgjidhen me mjete paqësore”, tha Sekretari Blinken.

“Do të konkurrojmë me vetëbesim; do të bashkëpunojmë (me Kinën) kurdo që të mundemi; do të konkurrojmë atëherë kur duhet”, deklaroi Sekretari Blinken. “Nuk ka arsye pse vendet tona të mëdha nuk mund të bashkëjetojnë paqësisht, dhe të bëjnë pjesën e tyre dhe të kontribuojnë për progresin njerëzor së bashku”.

XS
SM
MD
LG