Accessibility links

Breaking News

Angazhimi i Shteteve të Bashkuara për lirinë e shtypit 


NICARAGUA-PROTEST/
NICARAGUA-PROTEST/

“E drejta për lirinë e shprehjes, përfshirë lirinë e shtypit, përballet me sfida të mëdha në hemisferën tonë dhe në mbarë botën”, deklaroi Sekretari i Shtetit Antony Blinken në takimin e nivelit të lartë të vendeve të hemisferës perëndimore për median që u mbajt në qytetin Los Anxhelos.

Ai vuri në pah tre sfida specifike për median, dhe atë që po bëjnë Shtetet e Bashkuara për t'i trajtuar ato.

Për të luftuar dezinformimin, Departamenti i Shtetit ka krijuar qendrën e parë të Rrjetit të Komunikimit Dixhital të Hemisferës Perëndimore, një rrjet gazetarësh, shoqërie civile dhe zyrtarë qeveritarë, të cilët në mënyrë kolektivisht mund të adresojnë dhe t’i kundërvihen propagandës së mbështetur nga shteti. Ata gjithashtu do të trajtojnë sigurinë e gazetarëve.


Një sfidë tjetër janë kërcënimet, ngacmimet dhe dhuna e vazhdueshme me të cilat përballen pjestarët e shtypit në të gjithë hemisferën, tha Sekretari Blinken:

“Këtë vit të paktën 17 gazetarë janë vrarë në këtë hemisferë, sipas grupit të UNESCO-s që vëzhgon vdekjet e gazetarëve, duke përfshirë – së fundmi – Yesenia Mollinedo dhe Sheila Johana Garcia, njëra drejtoreshë dhe tjetra reportere e faqes së lajmeve ‘El Veraz’, në Veracruz të Meksikës, të cilat u qëlluan për vdekje më 9 maj. Asnjë rajon në botë nuk është më i rrezikshëm për gazetarët.”

Qeveritë po përdorin organet legjislative për të shuar lirinë e shprehjes, si përshembull kufizimet e miratuara në shtetin El Salvador në pranverë.

Në Kubë, Nikaragua dhe Venezuelë, ushtrimi i të drejtës bazë të gazetarisë investigative përbën krim.

Përballë kësaj situate, Shtetet e Bashkuara po punojnë në të gjithë rajonin për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të trajnuar gjyqtarët dhe prokurorët për të hetuar dhe ndjekur penalisht sulme të tilla.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, do të ofrojë deri në 9 milionë dollarë për të mbështetur një fond që mbron ngazetarët nga akuazat për shpifje. Fondi do të ofrojë mbrojtje për gazetarët dhe organizatat mediatike që vihen në shënjestër nga procese gjyqësore të padrejta.

Departamenti i Shtetit po investon deri në 3.5 milionë dollarë për të krijuar një Platformë për Mbrojtjen e Gazetarisë që do të mbrojë dhe trajnojë gazetarët nën kërcënim.

Së treti, Shtetet e Bashkuara po punojnë që ta bëjnë më të qëndrueshme median e pavarur, tha Sekretari Blinken:

“Kemi dhënë 30 milionë dollarë për Fondin Ndërkombëtar për Mediat e Interesit Publik, i cili do të përqendrohet tek ndihma për mediat në vende të varfra dhe të paqëndrueshme, dhe 5 milionë dollarë për të përmirësuar sigurinë financiare të organeve të pavarura të medias”.


Një shtyp i lirë dhe i pavarur në të gjithë hemisferën perëndimore është më i rëndësishëm tani se kurrë, tha zoti Blinken, "për mirëqenien e popullit tonë, për mirëqenien e komuniteteve tona, dhe për mirëqenien e demokracive tona”.

XS
SM
MD
LG