Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për viktimat e tërmetit shkatërrues në Afganistan.
Njoftimet paraprake tregojnë se të paktën 1,000 njerëz u vranë më 23 qershor dhe qindra të tjerë u plagosën në provincat Paktika dhe Khost. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë: “Populli i Afganistanit ka kaluar vështirësi të jashtëzakonshme dhe kjo fatkeqësi natyrore krijon një situatë të tmerrshme humanitare. Partnerët humanitar të SHBA-së tashmë po përgjigjen, duke përfshirë edhe dërgimin e ekipeve mjekësore për të ndihmuar njerëzit e prekur, ndërsa po vlerësojmë mundësitë e tjera të reagimit.” Më 28 qershor, SHBA njoftoi rreth 55 milionë dollarë fonde për të përmbushur nevojat e menjëhershme humanitare pas tërmetit dhe nevojat më të gjera humanitare në të gjithë Afganistanin.
Tërmeti i fundit nuk është shkaku i vetëm i mjerimit për popullin afgan. Gjatë një konference të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Afganistanin, nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths vuri në dukje se ndryshimet dramatike në peizazhin politik dhe ekonomik të Afganistanit gushtin e kaluar kanë sjellë vuajtje të parreshtura njerëzore. Tani 25 milionë njerëz në Afganistan jetojnë në varfëri - më shumë se dyfishi nga viti 2011. Përveç kësaj, situata e të drejtave të njeriut është përkeqësuar me shpejtësi që nga marrja e Kabulit nga talebanët.
Në konferencë, këshilltarja në detyrë e Ministres së SHBA-së për Çështjet Politike, Trina Saha, e quajti situatën aktuale “një moment të rrezikshëm për Afganistanin. Hapësira që anëtarët e medias të bëjnë punën e tyre po zvogëlohet, ndërsa kërcënimet me të cilat përballen anëtarët e grupeve të pakicave fetare dhe etnike janë në rritje”, tha ajo. “Njerëzit e zakonshëm në mbarë botën kanë dënuar dekretet që talebanët kanë nxjerrë duke i privuar gratë dhe vajzat nga dinjiteti i tyre”, duke përfshirë ndalimin e qasjes së tyre në arsimin mbi klasën e 6-të dhe duke imponuar veshje drakoniane dhe rregulla udhëtimi.
Shtetet e Bashkuara janë donatori i vetëm më i madh i ndihmave humanitare për popullin afgan, dhe që nga gushti i kaluar, kanë dhuruar më shumë se 775 milionë dollarë nëpërmjet partnerëve humanitarë. Ministrja në detyrë Saha u kërkoi të tjerëve në komunitetin ndërkombëtar të rrisin ndihmën e tyre humanitare. "Shtetet e Bashkuara," deklaroi ajo, "mbeten gjithmonë të përkushtuara për të mbështetur popullin e Afganistanit".