Departamenti i Shtetit ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Nënpresidentit paraguaian Hugo Velazquez për shkak të "përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, si dhënien e ryshfetit ndaj një zyrtari publik dhe ndërhyrjen në proceset publike", tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Nënpresidenti Velazquez njoftoi dorëheqjen nga detyra dhe nuk do të kandidojë më për president në zgjedhjet e ardhshme. Shtetet e Bashkuara caktuan gjithashtu Këshilltarin Ligjor të Entit ‘Bi-National Yacyretá’ për prodhimin e energjisë elektrike, Juan Carlos "Charly" Duarte për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm.
“Duarte, një bashkëpunëtor i ngushtë personal dhe profesional i Nënpresidentit Velazquez, i ofroi ryshfet një zyrtari publik paraguaian me qëllim që të pengonte një hetim që kërcënonte Nënpresidentin dhe interesat e tij financiare”, shpjegoi Sekretari Blinken në një deklaratë. “Veprimet korruptive si këto kontribuojnë gjithashtu në zvogëlimin e besimit te qeveria dhe perceptimet publike të korrupsionit dhe mosndëshkimit brenda zyrës së Nënpresidentit paraguaian,” shtoi ai. Për më tepër, përmes aktit të korrupsionit Duartes abuzoi dhe shfrytëzoi pozicionin e tij të privilegjuar publik brenda Entit ‘Bi-National Yacyretá’, duke rrezikuar besimin e publikut në një nga pasuritë më jetike ekonomike të Paraguait. Duarte që atëherë është hequr nga posti i tij në Yacyretá, tha presidenti i Paraguajit Mario Abdo Benítez.
Departamenti Amerikan i Shtetit caktoi gjithashtu anëtarët e ngushtë të familjes Velazquez si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Lourdes Maria Andrea Samaniego Gonzalez, Dionicio Adalberto Velazquez Gimenez, Sonya Rebeca Velazquez Escauriza dhe Hugo Jose Velazquez Escauriza; dhe anëtarët e ngushtë të familjes së Duartes, duke përfshirë Ninfa Concepcion Vera Moreira dhe Tamara Duarte Martinez.
Këto emërtime riafirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me të gjithë paraguajanët në mbështetje të demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe do të vazhdojnë të promovojnë përgjegjësinë për ata që abuzojnë me pushtetin publik për përfitime personale, pavarësisht nga pozicioni ose përkatësia e tyre politike.