Accessibility links

Breaking News

Bashkimi mes aleatëve të NATO-s, çelësi për suksesin e Ukrainës


Belgium NATO Stoltenberg
Belgium NATO Stoltenberg

Duke folur pas një takimi të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel të Belgjikës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se lufta në Ukrainë po hyn në një fazë kritike. “Nëse Rusia ndalon së luftuari, do të ketë paqe. Nëse Ukraina pushon së luftuari, ajo do të pushojë së ekzistuari si një komb i pavarur. Kështu që ne duhet të vazhdojmë në rrugën e nisur për interesin tone dhe atë të Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është i të njëjtit mendim. “Ne kemi dalë nga Samiti i NATO-s me një Koncept të ri Strategjik. Ne jemi përballur me agresionin rus në Ukrainë. E kemi bërë së bashku”, tha ai.

“Uniteti ynë këtu në NATO, në aleancat dhe partneritetet tona në Kombet e Bashkuara dhe institucione të tjera ndërkombëtare, është thelbësor për shtytjen përpara të objektivave tona – objektivat e përbashkëta për të mbështetur kapacitetin e Ukrainës për të mbrojtur veten, duke mbajtur trysni ndaj Rusisë për agresionin e saj, duke siguruar që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë kur kushtet janë të pjekura për negociata”.

Për këtë qëllim, Sekretari Blinken njoftoi më shumë se 2.8 miliardë dollarë ndihmë sigurie shtesë për Ukrainën dhe gjithashtu për fqinjët e saj.

“Kjo mbështetje përfshin 675 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën. Kjo është tërheqja e njëzetë e ndihmave të pajisjeve ushtarake që Presidenti Biden ka iniciuar, duke filluar para agresionit rus. Ajo përfshin më shumë sisteme raketash të shumëfishta, municione artilerie, raketa kundër rrezatimit me shpejtësi të lartë dhe sisteme antitank. Tërheqja e njëzetë tani arrin në 14.7 miliardë dollarë ndihma”.

Një pjesë e kësaj shume do të ndihmojë aleatët dhe partnerët tanë evropianë të fillojnë procesin e përgatitjes për të penguar dhe, nëse është e nevojshme, për t'u mbrojtur kundër agresionit të mëtejshëm rus në vitet në vijim.

“Presidenti Putin mendoi se do të përçante dhe dobësonte NATO-n. Sot, aleanca është më e fortë, më e unifikuar, me burime më të mira se kurrë më parë”.

Sekretari Blinken këmbënguli se "Diplomacia është mënyra e vetme për t'i dhënë fund përfundimisht luftës së agresionit të Rusisë. Ne nuk shohim në këtë moment asnjë tregues nga Rusia se do të ishte e përgatitur për të ndjekur seriozisht një diplomaci të tillë, por nëse dhe kur të vijë koha, Ukraina duhet të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm”, tha sekretari Blinken.

“Dhe kjo është arsyeja pse është kaq jetike që ne të qëndrojmë në kurs, të qëndrojmë të bashkuar – të bashkuar në mbështetje të Ukrainës, të bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë, të bashkuar për aq kohë sa duhet”.

XS
SM
MD
LG