Shtatori shënon përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Abrahamit, sipas së cilës Izraeli nënshkroi marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, ndjekur së shpejti edhe nga Maroku.
Këto marrëveshje historike "kanë qenë transformuese për Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Marokun", deklaroi Sekretari i Shtetit Antony Blinken. “Ato kanë çuar në forma të reja bashkëpunimi dhe integrimi rajonal në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke përfshirë Forumin historik të Negevit, i cili na bashkoi me Izraelin dhe fqinjët e tij.”
Në një artikull redaksional të kohëve të fundit në gazetën Jerusalem Post, ministri i shtetit për tregtinë e jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani Al Zeyoudi, tha se nënshkrimi i Marrëveshjeve të Abrahamit "signalizoi jo thjesht fundin e 48 viteve të armiqësisë dhe mosbesimit, por fillimin e një epoke të re politike dhe ekonomike për rajonin tonë”.
Sipas ministrit të tregtisë së jashtme, që nga nënshkrimi i marrëveshjeve, vlera e tregtisë dypalëshe midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit ka tejkaluar 3 miliardë dollarë, ndërsa tregtia në gjysmën e parë të vitit 2022 tani ka tejkaluar 1.3 miliardë dollarët e regjistruar në të gjithë vitin 2021.
Marrëveshjet kanë sjellë gjithashtu marrëdhënie unike të përbashkëta që synojnë zgjidhjen e sfidave të tjera me të cilat përballet Lindja e Mesme, si mungesa e ujit dhe energjia e rinovueshme. Një shembull i tillë është marrëveshja e fundit trepalëshe midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, e cila do të financojë një përpjekje për energjinë diellore.
Avi Hasson, drejtor ekzekutivi i Nation Central, një organizatë jofitimprurëse që nxit novacionin izraelit në mbarë botën, tha se Marrëveshja e Abrahamit "ka lëshuar mundësi dhe potencial të madh për rajonin tonë". Ai shtoi “Ne e kemi zhvendosur dialogun nga mbrojtja dhe siguria në novacionin dhe bashkëpunimin”.
Sipas zotit Hasson, tregtia dhe investimet midis Izraelit dhe vendeve që nënshkruan Marrëveshjen e Abrahamit do të dyfishohen në vitin 2023 me inovacionin dhe teknologjinë si komponentë kryesorë.
“Ne jemi të përkushtuar të avancojmë dhe zgjerojmë këto marrëveshje midis Izraelit dhe vendeve me shumicë arabe dhe myslimane për të rritur sigurinë rajonale, prosperitetin dhe paqen”, deklaroi sekretari Blinken. "Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndihmojnë në forcimin dhe thellimin e këtyre partneriteteve në vitet në vijim."