Accessibility links

Breaking News

Në mbrojtje të institucioneve demokratike në Bosnjë dhe Hercegovinë


Blinken
Blinken

* Materiali në vazhdim pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Në 3 tetor, Shtetet e Bashkuara përfshinë dy individë të tjerë dhe një entitet në programin e sanksioneve për Ballkanin Perëndimor. “Politikanët në Bosnjë dhe Hercegovinë po dëmtojnë institucionet dhe proceset demokratike për përfitimin e tyre politik dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”, tha në një deklaratë Nënsekretari amerikan i Thesarit për Zbulimin Financiar dhe Terrorizmin, Brian E. Nelson. “Ne do të vazhdojmë të vendosim në shënjestër ata që destabilizojnë rajonin, si dhe mbështetësit e tyre, dhe t’i vendosim ata përpara llogaridhënies”.

Kryeministri i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Fadil Novalich, u përfshi në listën e sanksioneve pasi përdori pozitën e tij për përfitim personal dhe partiak, përfshirë keqpërdorimin e të dhënave të pensionistëve, në shkelje të ligjit të Bosnjë-Hercegovinës, që të përfitonte partia e tij politike.

Slobodan Stankovich, një nga sipërmarrësit më të pasur në vend dhe një mbështetës i hershëm i anëtarit serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodikut, u përfshi gjithashtu në listën e sanksioneve. Zoti Stankovich është ish-pronar i “Alternativna Televizija d.o.o. Banja Luka”, të cilën ai e transformoi nga një media të pavarur në një megafon për zotin Dodik dhe për aktivitetet e tij destabilizuese dhe përçarëse. Ndaj vetë zotit Dodik u vendosën paraprakisht sanksione nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dayton-it dhe për korrupsion në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e Paqes e Dayton-it shënoi fundin e luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Biznesi i zotit Stankovich, Integral Inzenjering A.D. Laktasi (Integral), u përfshi në listën e sanksioneve për shkak se është në pronësi apo kontrollohet nga zoti Stankovich, ose ka vepruar apo ka tentuar të veprojë në emër të tij. Kompania, nën drejtimin e zotit Stankovich, ka marrë projekte madhore ndërtimi pa konkurim të hapur apo të drejtë, për shkak të lidhjeve të zotit Stankovich me drejtuesit e Republika Srpskas.

Këto përcaktime pasojnë përfshirjen në listën e sanksioneve të një tjetër zyrtareje në Bosnjë-Hercegovinë, Diana Kajmakovich, një prokurore e shtetit që u përcaktua në 26 shtator, pasi përdori pozicionin e saj për të ndihmuar kriminelët që i shmangen drejtësisë.

Nëpërmjet një deklarate, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të vendosin në objektiv individë në Ballkanin Perëndimor që “dëmtojnë apo rrezikojnë marrëveshjet e pasluftës dhe institucionet e krijuara në kuadrin e paqes të fituar me shumë mund”.

XS
SM
MD
LG