Populli i Afganistanit përballet me kriza humanitare dhe ekonomike të shkaktuara nga konflikti prej disa dekadash, thatësira e rëndë, COVID-19 dhe korrupsioni endemik. Represioni i talebanëve dhe keqmenaxhimi ekonomik kanë përkeqësuar sfidat e vjetra ekonomike. Në të vërtetë, sipas Programit të Zhvillimit të OKB-së, në vetëm 12 muaj talebanët kanë ndryshuar 10 vjet rritje ekonomike dhe kufizimet e tyre ndaj grave mund të rezultojnë në një humbje ekonomike deri në 1 miliard dollarë, paralajmëroi këshilltari i OKB-së, John Kelly.
Çelësi për rimëkëmbjen ekonomike të Afganistanit do të jetë pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, përfshirë gratë dhe vajzat. Por, "siç e dimë të gjithë," tha këshilltari Kelly, "talebanët kanë kufizuar ashpër të drejtave të njeriut për të gjithë afganët, dhe veçanërisht për gratë dhe vajzat".
Së fundmi, talebanët ndërmorën veprime për të parandaluar gratë afgane të shkojnë në parqe, palestra dhe banja publike – të gjitha pjesë e një përpjekjeje sistematike për të kufizuar pjesëmarrjen e grave në shoqërinë afgane.
Kufizime të tilla do t'i mohojnë më tej një brezi tjetër grash mundësitë për të mbështetur familjet e tyre dhe për të kontribuar në komunitetet e tyre. Pa pjesëmarrjen e plotë të grave në ekonominë afgane, do të jetë e pamundur që Afganistani të ketë një rimëkëmbje të plotë. Kur gratë largohen nga fuqia punëtore, shoqëria humbet talentin dhe produktivitetin nga gjysma e popullsisë së saj.
“Gratë mund të sigurojnë rrugë shpëtimi për familjet që përballen me varfërinë nëse thjesht do t'u lejohej një gjë e tillë. Ato mund të ndihmojnë në krijimin e komuniteteve më të qëndrueshme dhe më elastike në një kohë kur ato nevojiten dëshpërimisht në Afganistan”, vuri në dukje këshilltari Kelly.
Në shtator, Sekretari Blinken njoftoi nisjen e Aleancës për Qëndrueshmërinë Ekonomike të Grave Afgane. Aleanca është një partneritet publik-privat që synon të avancojë pjesëmarrjen, sipërmarrjen dhe arsimin e grave afgane në fuqinë punëtore. Shtetet e Bashkuara i dhanë 1.5 milionë dollarë një organizate që do të mbështesë sipërmarrjen e grave.
Në gusht, Shtetet e Bashkuara njoftuan një angazhim prej 30 milionë dollarësh për të mbështetur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në Afganistan.
Është e qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë në të ardhmen e popullit afgan. Ne do të vazhdojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur një Afganistan të qëndrueshëm, të begatë dhe të pavarur që respekton të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve të tij.