Shtetet e Bashkuara dhe Franca “qëndrojnë të bashkuar si kurrë më parë kundër luftës brutale të Rusisë ndaj Ukrainës”, deklaroi Presidenti Joe Biden gjatë vizitës së fundit të presidentit francez Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë.
“Dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen e fortë për popullin e Ukrainës teksa ata mbrojnë shtëpitë dhe familjet e tyre dhe sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial kundër agresionit rus, i cili ka qenë tepër brutal”.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë vendosur të mbajnë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe të zbusin ndikimet globale të luftës së Putinit në pjesën tjetër të botës, shpjegoi Presidenti Biden:
“Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Evropën të diversifikohet nga gazi natyror rus në një kohë të menjëhershme duke përshpejtuar tranzicionin tonë të energjisë së pastër dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në partneritet të ngushtë me Evropën ndërsa ecim përpara. Ne gjithashtu u angazhuam për thellimin e bashkëpunimit midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara për energjinë bërthamore civile përmes Partneritetit tonë dypalësh për Energjinë e Pastër".
Në mbarë botën, Franca dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë, duke përfshirë Indo-Paqësorin. Ne po kërkojmë një Indo-Paqësor që është i lirë dhe i hapur, i begatë dhe i sigurt, me liri lundrimi dhe fluturimi, tha Presidenti Biden.
“Ne po punojmë së bashku për të mbështetur një Lindje të Mesme që është më e integruar, paqësore dhe më e begatë”, duke përfshirë Iranin tha Presidenti Biden:
“Ne gjithashtu qëndrojmë me popullin e Iranit. Dhe francezët dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut, për të kundërshtuar mbështetjen e Iranit për luftën e Rusisë dhe për të siguruar që Irani të mos ketë asnjëherë një armë bërthamore".
Në Afrikë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca ranë dakord të ndihmojnë në forcimin e qeverisjes, sigurisë dhe mundësive ekonomike në të gjithë kontinentin.
Partneriteti SHBA-Francë shtrihet gjithashtu në bashkëpunimin për eksplorimin dhe përdorimin e hapësirës, investimin në energjinë e pastër dhe ndërtimin e industrive të së ardhmes, duke përfshirë bateritë dhe hidrogjenin e gjelbër.
Siç vuri në dukje Sekretari i Shtetit Antony Blinken, "Është e vështirë të gjesh një sfidë që nuk mund ta zgjidhim nëse Shtetet e Bashkuara dhe Franca punojnë së bashku. Sepse, në gjithçka që bëjmë, njerëzit tanë dhe kombet tona janë të lidhura së bashku përmes vlerave tona thelbësore të lirisë dhe demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.”