Kanë kaluar më shumë se 300 ditë që nga fillimi i agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që Ukraina të jetë në gjendje të sigurojë dhe mbrojë qytetarët e saj.
Në një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Presidenti Joe Biden përsëriti mbështetjen e SHBA për Ukrainën dhe rëndësinë e betejës kundër forcave pushtuese të Kremlinit.
“Populli amerikan ka qenë me ju në çdo hap të rrugëtimit dhe ne do të qëndrojmë me ju. Ne do të qëndrojmë me ju për aq kohë sa të duhet. Ajo që po bëni, çfarë keni arritur, ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën”, tha presidenti Biden.
Për këtë qëllim, Presidenti Biden njoftoi 374 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për Ukrainën përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, apo USAID.
"Kjo do të ndihmojë në sigurimin e ushqimit dhe ndihmës monetare për më shumë se 1.5 milionë ukrainas, si dhe qasje në kujdesin shëndetësor, ujë të pijshëm dhe do të ndihmojë në ngrohjen gjatë dimrit për më shumë se 2.5 milionë ukrainas".
Përveç kësaj, Presidenti Biden njoftoi gjithashtu një paketë prej 1.85 miliardë dollarësh në ndihmë për sigurinë. Paketa përfshin pajisje dhe kontrata për furnizimin me municione, tanke dhe raketahedhëse që do të përdoren për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus.
Gjithashtu, "Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë për të siguruar pajisje kritike për të ndihmuar Ukrainën të bëjë riparime emergjente në sistemin e saj të shpërndarjes së energjisë dhe të forcojë stabilitetin e rrjetit të Ukrainës përballë sulmeve të targetuara të Rusisë", tha Presidenti Biden.
“Duhet të jemi të qartë për atë që po bën Rusia. Ajo po sulmon me qëllim infrastrukturën kritike të Ukrainës, duke shkatërruar sistemet që ofrojnë ngrohje dhe drita për popullin ukrainas gjatë pjesës më të ftohtë dhe më të errët të vitit. Rusia po e përdor dimrin si armë – duke i mbajtur njerëzit në të ftohtë dhe të uritur dhe duke i shkëputur ata nga njëri-tjetri”.
Shtetet e Bashkuara përshëndesin guximin dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe janë të përkushtuara për të siguruar që populli i Ukrainës t'i mbijetojë dimrit dhe agresionit të pandërprerë të Rusisë.