Accessibility links

Breaking News

Dënimi shqetësues i kryebashkiakut të Stambollit


Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të shqetësuara dhe të zhgënjyera" që një gjykatë në Turqi dënoi kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu me dy vjet e shtatë muaj burg. Nëse vendimi do të mbetet në fuqi pas apelit, dënimi do ta ndalojë gjithashtu zotin Imamoglun të mbajë apo të kandidojë për poste politike. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë: “Dënimi i tij nuk është në përputhje me respektimin e të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe sundimit të ligjit”.

Franca, Gjermania dhe Parlamenti Evropian si dhe disa organizata të të drejtave të njeriut gjithashtu denoncuan dënimin e zotit Imamoglu.

Ekrem Imamoglu nuk është vetëm kryebashkiak i Stambollit, ai është edhe një anëtar i shquar i partisë politike opozitare, Partia Popullore Republikane dhe një kandidat i mundshëm presidencial në zgjedhjet e vitit 2023 në Turqi. Krimi i supozuar i zotit Imamoglu ishte fyerja e zyrtarëve publikë në një fjalim që ai mbajti në vitin 2019.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara mbeten “të shqetësuara nga ngacmimet e vazhdueshme gjyqësore të shoqërisë civile, mediave, drejtuesve politikë dhe të biznesit në Turqi, duke përfshirë paraburgimin, pretendimet për mbështetje të gjerë të terrorizmit dhe rastet e fyerjeve kriminale”.

Në raportin e tij më të fundit të të drejtave të njeriut për Turqinë, Departamenti amerikan i Shtetit vuri në dukje: “Gjyqësori u përball me disa probleme që kufizuan pavarësinë e tij, duke përfshirë ... pretendimet për ndërhyrje nga dega ekzekutive. Ai gjithashtu raportoi se vëzhguesit "ngrenë shqetësime se rezultati i disa gjykimeve dukej i paracaktuar" dhe se kishte mungesë respekti për procesin e plotë dhe besueshmërinë e provave.

Midis abuzimeve të tjera të të drejtave, raporti përmendi gjithashtu “arrestimin arbitrar dhe ndalimin e vazhdueshëm të dhjetëra mijëra personave, duke përfshirë politikanë të opozitës dhe ish-deputetë të parlamentit, avokatë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut”.

"Populli i Turqisë," tha zëdhënësi Price në deklaratën e tij "meriton aftësinë për të ushtruar të drejtat e tyre njerëzore dhe liritë themelore pa frikën e ndëshkimit. E drejta për të ushtruar liritë e shprehjes, grumbullimit paqësor dhe organizimit janë të sanksionuara në kushtetutën e Turqisë, detyrimet e saj ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe angazhimet e saj ndaj OSBE-së. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë ndjekjet penale sipas ligjeve penale të ‘fyerjes’ dhe të respektojë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve turq, duke përfshirë edhe sigurimin e një mjedisi të hapur për debat publik”.

XS
SM
MD
LG