A mund të zgjidhen problemet më urgjente të botës pa pjesëmarrjen e plotë të gjysmës së popullsisë së saj? Përgjigja nga Shtetet e Bashkuara është një "Jo!", siç vuri në dukje Sekretari i Shtetit Antony Blinken në prezantimin e Strategjisë së parë të SHBA-së për Sigurinë Ekonomike Globale të Grave:
“Ne kemi nevojë për pjesëmarrjen e plotë ekonomike të grave për të udhëhequr në fakt një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse nga pandemia COVID…Ne kemi nevojë për udhëheqjen e tyre në zgjidhjen e konfliktit. Ne kemi nevojë për idetë dhe inovacionin e tyre për të trajtuar krizën klimatike”.
Sekretari Blinken tha se strategjia e re e SHBA-së ka në zemër një vizion të thjeshtë: krijimin e një bote në të cilën gratë dhe vajzat kudo mund të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga rritja dhe prosperiteti ekonomik.
“Kjo do të jetë një botë në të cilën ne të gjithë do të jemi më mirë. Ngushtimi i hendekut gjinor në fuqinë punëtore deri në vitin 2025...do të shtonte deri në 28 trilionë dollarë në ekonominë globale.
Megjithatë, qëndrojnë pengesa në rrugën për pjesëmarrjen e plotë ekonomike, sociale, ligjore dhe financiare të grave. Sekretari Blinken parashtroi katër fronte përpjekjesh që Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin:
“Së pari ne do të avancojmë konkurrencën ekonomike të grave në mënyrë që ato të mund të marrin pjesë dhe të udhëheqin plotësisht në të gjithë sektorët, në të gjitha industritë – duke përfshirë si rolet si drejtore ekzekutive dhe anëtare të bordit”.
Fronti i dytë i përpjekjeve do të jetë forcimi i mbështetjes themelore - kujdesi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit - që i lejon gratë të marrin pjesë plotësisht në ekonomi. Fronti i tretë do të jetë promovimi i sipërmarrjes së grave dhe përfshirja financiare dhe digjitale. Dhe së fundi, Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të ndihmuar në heqjen e barrierave sistematike për pjesëmarrjen e barabartë të grave në ekonomi.
Shtetet e Bashkuara do të inkurajojnë vendet që të shfuqizojnë ligjet diskriminuese dhe të mbrojnë reformat që promovojnë barazinë gjinore. “Në secilën prej këtyre fronteve të përpjekjeve, ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë në mbarë botën,” tha ai.
"Promovimi i sigurisë ekonomike të grave është gjëja e duhur për t'u bërë, por është gjithashtu gjëja e zgjuar dhe e nevojshme për t'u realizuar," tha sekretari Blinken. “Kur të gjithë mund të kontribuojnë në potencialin e tyre të plotë, ekonomitë tona janë më të begata, shoqëritë tona janë më të mbushura me mundësi, vendet tona janë më paqësore dhe të gjithë janë në gjendje më të mirë.”