Shtetet e Bashkuara dhe Turqia identifikuan katër individë dhe dy entitete si pjesë e një rrjeti financiar që ndihmon në financimin e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, ose grupit terrorist ISIS. Ata kanë qenë të rëndësishëm në rekrutimin e grupit, si dhe në transfertat financiare në dhe nga Iraku dhe Siria.
Më 5 janar, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit, ose OFAC, caktoi themeluesin e rrjetit, Abd Al Hamid Salim Ibrahim Ismail Brukan al-Khatuni; djemtë e tij Muhamed Abd Al Hamid dhe Umar Abd Al Hamid; dhe Lu'ay Jasim Hammadi al-Juburi, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13224, për ofrimin e mbështetjes financiare për grupin terrorist. Në të njëjtën kohë, autoritetet turke ngrinë pasuritë e tyre.
Abd Al Hamid Salim Ibrahim Ismail Brukan al-Khatuni është një shtetas irakian që jeton ilegalisht në Turqi. Gjatë disa viteve të fundit, ai ka shërbyer si drejtuesi i financimit të huaj në të ashtuquajturin Wilayat al-Jazirah të ISIS-it në Irak; menaxhoi rrjetin e ndihmës financiare të grupit në Turqi; dhe luajti një rol të rëndësishëm në transferimin e fondeve përmes rrjetit të tij në mbështetje të udhëheqësve të lartë të ISIS-it.
Muhamed Abd Al Hamid Salim Brukan al-Khatuni dhe Umar Abd Al Hamid Salim Brukan al-Khatuni janë djemtë e Brukan al-Khatunit. Ata janë anëtarë të rrjetit të lehtësimit financiar të ISIS-it. Në qershor 2021, ata u koordinuan me një zyrtar financiar të ISIS-it për të lehtësuar transferimin e mbi 500,000 dollarëve.
Lu'ay Jasim Hammadi al-Juburi është një ndihmës financiar i ISIS-it që përdori Sham Express, një kompani me bazë në Turqi e themeluar në vitin 2020 nga Brukan al-Khatuni, për të transferuar para në emër të ISIS-it midis Turqisë, Sirisë dhe Irakut.
Meqenëse këta individë lehtësuan transferimin e parave për ISIS-in përmes entiteteve të tyre financiare me bazë në Turqi, Wadi Alrrafidayn for Foodstuffs dhe Sham Express, të dyja këto entitete u shtuan gjithashtu në listë. Wadi Alrrafidayn është caktuar pasi është kontrolluar nga Brukan al-Khatuni. Sham Express, që ekziston për të transferuar ilegalisht para midis Turqisë, Sirisë dhe Irakut në emër të ndihmësve financiarë të ISIS-it, është përcaktuar se ka ndihmuar materialisht ISIS-in.
Veprimi i 5 janarit "rikonfirmon angazhimin e Departamentit të Thesarit për të degraduar aftësitë e ISIS-it për të vepruar globalisht", tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Këto emërtime dhe ngrirje të pasurive janë rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë turq për të vënë në shënjestër aktivitetin e ISIS-it në rajon”.