Samiti i dytë për Demokracinë u zhvillua në mars virtualisht dhe personalisht në Uashington, D.C. dhe disa qytete të tjera dhe mblodhi së bashku udhëheqës dhe përfaqësues të më shumë se njëqind vendeve, si dhe partnerë nga shoqëria civile dhe sektori privat.
Gjatë fjalimit përmbyllës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vuri në dukje se bota është në një pikë kthese në lidhje me të ardhmen e demokracisë – “nëse ne jemi të gatshëm të bëjmë atë që duhet për t'u siguruar që demokracitë vazhdojnë të ofrojnë për popullin e tyre”.
Gjatë Vitit të Veprimit që nga Samiti i parë për Demokraci, ai tha: “Ky grup iu përgjigj kësaj pyetjeje me një po të fuqishme … Ne kemi bërë – dhe kemi përmbushur – mbi 700 angazhime që na ndihmojnë të mbrojmë dhe forcojmë vlerat dhe institucionet demokratike”.
Sekretari Blinken vuri në dukje, për shembull, ligjet dhe nismat e reja për të luftuar korrupsionin të ndërmarra nga Ekuadori, Republika Domenikane dhe Australia; për të mbështetur një shtyp të lirë dhe të pavarur të ndërmarra nga Franca, Sllovakia, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara përmes iniciativave që ndihmojnë organet e pavarura të lajmeve të bëhen më të qëndrueshme financiarisht; për heqjen e ligjeve, si në Zambia, që mund të përdoren për të heshtur kritikët e qeverisë; dhe ndaj veprimeve për të mbrojtur të drejtat qytetare dhe të njeriut, duke përfshirë njerëzit indigjenë dhe ata në komunitetin LGBTQI+.
"Ndërsa përgatitemi për samitet që do të vijnë," tha sekretari Blinken, "ne do të vazhdojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim, përshtatemi dhe të ndërtojmë në përpjekjet tona kolektive".
"Kjo është pikërisht arsyeja pse", deklaroi Sekretari Blinken, "ne punuam për të bashkuar një grup kaq të gjerë pjesëmarrësish të samitit për të nxitur përparimin në prioritetet e përbashkëta - nga promovimi i angazhimit të të rinjve në politikë, mbështetja e një shtypi të pavarur, sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme - dhe … duke standartizuar normat rreth internetit dhe teknologjive në zhvillim.”
Sekretari Blinken tha: "Ne nuk besojmë se i kemi të gjitha zgjidhjet - përkundrazi. Por ne e dimë se kur bashkohemi me vendet demokratike, ne e bëjmë njëri-tjetrin më të fortë, më elastik, më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve tanë dhe më të aftë për të bërë atë që duhet të bëjmë, që është të ofrojmë për ta – dhe, shpresoj - për botën”.